Zëvendësimin e orëve mësimore të humbura nga greva ka kërkuar Ministria e Arsimit, një ditë para fillimit të viti të ri shkollor.
Në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit thonë se nuk kanë ndërruar qëndrim. Ndërkaq institucionet arsimore shprehen të gatshme për zëvendësimin e tyre.
Pas një muaji vonesë, të hënë do të fillojë viti i ri shkollor, pasi 54 për qind të mësimdhënësve votuan për pezullim të grevës deri në janar të vitit 2023.
Dyert për nxënësit do t’i hapë të hënën edhe gjimnazi “Ahmet Gashi” në kryeqytet, të cilët ishin për vazhdim të grevës.
Nga drejtori i këtij gjimnazi, Haxhi Metaj, nuk është parë problematike kompensimi i orëve të humbura, pasi ai thotë se mund të përdorin praktikën e njëjtë si në vitet paraprake kur mësimi ka filluar me vonesë për shkak të pandemisë.
“Unë besoj që po, besoj që gjysmëvjetori shtyhet një javë, gjithashtu me pushimin pranveror dhe dy javë deri në fundvit shkollor. Kështu kemi vepruar edhe vitet paraprake, për shkak se tri vitet e fundit ne kemi filluar zakonisht me datën 27 shtator, për shkak të pandemisë dhe kësaj gjendjes”, ka thënë Metaj.
Të gatshëm të japin maksimumin për të zënë hapin me mësime janë shprehur edhe në shkollën fillore “Gjergj Fishta”.
“Dëmet në esencë në pamje të parë gjithmonë në arsim nuk shihen, ato ndihen më vonë… Për aq sa kemi kompetencat do të provojmë që ato dëme t’i zbusim dhe me qenë sa më të pakta”, ka thënë Supije Zhitija, drejtoreshë në SHMFU “Gjergj Fishta”./Koha/