Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Malishevës, Arbëreshë Krasniqi, ka njoftuar se është miratuar realizimi i vizitave orientuese për nxënësit e klasave të nënta në Qendrën e Kompetencës “Kujtim Krasniqi”, shkruan AlbanianEducation.net.
Ajo thotë se qëllimi i këtyre vizitave është që nxënësit të njihen nga afër me drejtimet profesionale dhe mundësitë e shkollimit, në mënyrë që të marrin vendime më të sigurta për rrugën e tyre arsimore dhe profesionale në të ardhmen.
Postimi i saj:
Një hap i rëndësishëm për orientimin në karrierë të nxënësve tanë
Drejtoria për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës ka miratuar realizimin e vizitave të nxënësve të klasave IX në SHMP Qendra e Kompetencës “Kujtim Krasniqi” në Malishevë.
Këto vizita do t’u mundësojnë nxënësve të njohin nga afër drejtimet profesionale dhe mundësitë e shkollimit, duke i ndihmuar të marrin vendime më të sigurta për të ardhmen e tyre.
Qendra e Kompetencës “Kujtim Krasniqi” mbetet një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit profesional në komunën tonë, me punë të shkëlqyer dhe përkushtim në përgatitjen e gjeneratave të reja për tregun e punës.
Investimi në arsim dhe orientim profesional është investim në zhvillimin e Malishevës dhe në të ardhmen e të rinjve tanë.
Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm dhe suksese të përbashkëta për shkollën dhe nxënësit e Komunës së Malishevës.
Përgëzime drejtorit Nazmi Zogaj, stafit të shkollës dhe veçanërisht aktivave të mësimdhënësve, të cilët vazhdimisht promovojnë rëndësinë e orientimit profesional për nxënësit tanë.
