Kur kanë mbetur tre ditë nga nisja e vitit të ti shkollor, autoritetet kanë marrë masat për respektimin e protokollit anti-COVID në klasa.
Në një lidhje Skype me “Radarin Informativ”, drejtoresha e Arsimit parauniversitar Zamira Gjini deklaroi se janë 300 shkolla në vend që do të zhvillojnë mësimin me dy turne, ndërkohë që orët do të jenë 25 minuta në mënyrë që të zbatohet distanca e nevojshme mes nxënësve.
“Me 27 shtator fillon viti i ri shkollor. Janë marrë masat që të organizohen mënyrat e zhvillimit të mësimit në shkolla sipas kushteve specifike në secilën shkollë. Janë njoftuar edhe prindërit për mënyrën e zhvillimit të mësimit dhe rregullat që duhet të zbatojnë sipas protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë. Skenari i mësimit me turne do të bëhet në shkollat që kanë numër të madh nxënësish. Janë rreth 1200 shkolla që do e zhvillojnë mësimin me orë normale dhe me një turn. Janë rreth 300 shkolla që do të zhvillojnë mësimin me dy turne. Dhe në orë mësimore jo 45 minuta por 25 minuta për shkak të numrit të madh të nxënësve nëpër klasa”, deklaroi Gjini.
Ajo u shpreh se deri më tani janë 80% e mësuesve që kanë marrë një dozë vaksine ndërsa 66% janë vaksinuar me të dyja dozat. Gjini theksoi se mësuesit duhet të kenë patjetër vaksinën, test PCR, ose një dokument që vërteton se e kanë kaluar COVID jo shumë kohë përpara. Në lidhje me mësuesit që do të mungojnë në klasa qoftë prej COVID, apo edhe për arsye të tjera, Gjini shtoi se janë marrë masat për zëvendësimin e tyre me mësues nga portali “Mësues për Shqipërinë”.
Janë marrë masat për të krijuar mjedisin fizik për nxënësit në shkolla. Të gjitha shkollat kanë për detyrim të zbatojnë protokollin e ministrisë së Shëndetësisë. Ne kemi të dhëna për numrin e mësuesve që kanë marrë vaksinat. Sot 80% e mësuesve kanë marrë një vaksinë. 66% kanë marrë dy vaksina. Ata që nuk e kanë duhet të kenë test PCR ndërsa ata që e kanë kaluar jo shumë kohë përpara duhet të paraqesin dokumentin që e vërteton. Mësuesit duhet të kenë një nga këto të treja. Nëse një mësues nuk do paraqitet në shkollë për arsye të ndryshme janë marrë masa që ata të zëvendësohen nga mësues nga portali “Mësues për Shqipërinë”.
Ministria e Arsimit ka qenë në inspektime për të parë si është situata në shkolla. Të gjitha masat janë marrë. Mjedisi fizik është gati. Janë marrë masat për procesin mësimor. Është hartuar orari mësimor dhe është realizuar shpërndarja e teksteve shkollore. Në varësi të situatave kemi gati skenarët. Edhe nëse do të ndodhë që do të mbyllet procesi mësimor në shkolla, mësimi do të zhvillohet online. Rast pas rasti do të shohim si do të jenë kushtet. E rëndësishme është të ketë mësues për të zhvilluar mësimin në çdo ditë”, u shpreh ajo.