Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj Kadrije Asllanit – drejtoreshë e çerdhes “Botanika” në Prishtinë dhe Qëndresa Makolli – Berishës, nën dyshimin për “Përvetësim në detyrë”.
Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se në vazhdimësi në periudhën kohore nga janari deri në dhjetor të vitit 2023 në Institucionin Parashkollor “Botanika” në Prishtinë, të pandehurat Asllani dhe Makolli-Berisha, si persona zyrtarë- konkretisht Asllani si drejtoreshë e “Botanikës” dhe Makolli-Berisha si administratore në këtë institucion, me detyra faktike zyrtare të cilat u janë besuar nga Komuna e Prishtinës, sipas marrëveshjes së bashkëpunimit të 2 marsit 2015, me autorizime të plota në llogarinë bankare të këtij institucioni, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë përvetësuar pasurinë e cila u është besuar shkaku i detyrave të tyre.
Sipas Prokurorisë, nga pjesa e subvencionimit në shumën 51 mijë e 20 euro, të cilat kanë qenë të dedikuara për subvencionimin e fëmijëve- të cilët i plotësojnë kriteret ligjore, kanë hartuar listat dhe i kanë dërguar në Komunën e Prishtinës për subvencionim, por këto mjete në vend që t’i përdorin për subvencionim sipas marrëveshjes, i kanë tërhequr nga llogaria bankare për përfitimin personal.
Me këtë, dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Prishtinës në shumën prej 51 mijë e 20 euro.
Me këtë, Asllani dhe Makolli-Berisha dyshohen se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë” nga neni 218, par.1, neni 31 dhe 77 të Kodit Penal.
Prokuroria thekson se janë plotësuar kushtet që të caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj dy të dyshuarave, siç është dyshimi i bazuar.
Aty thuhet se dyshimi i bazuar mbështetet në këto prova: Listat me emrat e fëmijëve dhe prindërve që janë dërguar nga Botanika në Komunën e Prishtinës për subvencionimin e prindërve për muajt janar-dhjetor 2024, dëshmitë e prindërve që kanë dërguar për të ardhurat mujore me qëllim të përfitimit të subvencionit- e të cilat janë përcaktuar me vendimin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, emrin e anëtarit të caktuar nga Komuna dhe dy anëtarëve të kopshtit- të caktuar për vlerësimin e dokumentacionit të ofruar nga prindërit me qëllim të përfitimit të subvencionit, raportin e auditorit të brendshëm lidhur me auditimin e pagesave dhe listave të prindërve që janë subvencionuar, si dhe urdhër-obligimet për pagesa, të cilat i janë bërë “Botanikës”- duke u bazuar në emrat e fëmijëve që ky institucion i ka dërguar Komunës dhe kërkesat që i janë dërguar Drejtorisë së Arsimit, kërkesa e institucionit për subvencionimin e prindërve dhe lista e bashkëngjitur me emrat e fëmijëve dhe pasqyra bankare e llogarisë së “Botanikës”.
Sipas Prokurorisë, nëse të pandehurat gjenden në liri, mund të pengojnë rrjedhën normale të procedurës, duke asgjësuar, fshehur ose ndikuar në dëshmitarë dhe në prova materiale të cilat Prokuroria ende nuk i ka siguruar. Po ashtu, të pandehurat ende nuk janë dëgjuar në Prokurori e që mund të koordinojnë deklaratat e tyre me qëllim të ikjes nga përgjegjësia. Aty thuhet se mund të ndikojnë edhe në dëshmitarë për të ndryshuar deklaratat në favor të tyre.
Gjithnjë sipas kërkesës së Prokurorisë, kemi të bëjmë me përvetësim të parave që u janë besuar nga Komuna e Prishtinës për t’u subvencionuar fëmijët që i plotësojnë kriteret ligjore dhe shuma e dëmit kalon mbi 51 mijë euro të keqpërdorura për nevojat e tyre private dhe po ashtu kanë falsifikuar listat e fëmijëve të cilat nuk kanë qëndruar fare në “Botanika”- por që janë subvencionuar nga Komuna.
Me këtë, thuhet se të pandehurat kanë pasur dashje direkte për përfitim material për vete pasi që i kanë përgatitur bashkë listat e përfituesve dhe ia kanë dërguar Komunës. Po ashtu, thuhet se ato kanë pasur dijeni për veprimet që kanë qenë duke i bërë, falsifikimin e listave-sjellje që tregojnë mjaftueshëm se të njëjtave duhet t’iu caktohet arresti shtëpiak. Dhe se kemi të bëjmë me vepër penale nga kapitulli i korrupsionit.
Ndryshe, të mërkurën Policia e Kosovës raportoi për ndalimin e një të dyshuare për keqpërdorim me subvencione.
Policia njoftoi se provat tregojnë përpilimin e listave fiktive të subvencioneve për fëmijë që nuk kanë ndjekur institucionin. Po ashtu, dyshohet se janë tërhequr para në mënyrë të parregullt si dhe është bërë blerje e pajisjeve elektronike pa justifikim të nevojave institucionale. Policia bëri të ditur se dëmi i shkaktuar mund të arrijë në mbi 100 mijë euro. / Shkrimi është marrë nga Betimi per Drejtesi