Donikë Sejdiu mbron me sukses doktoratën në Universitetin e Cyrihut

- Advertisement -

Donikë Sejdiu, studente me prejardhje nga Kumanova, ka mbrojtur me sukses të shkëlqyeshëm temën e doktoratës pranë Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Cyrihut, duke fituar titullin Doktore e Shkencave.

- paragrafi 1 -

Punimi i saj shkencor, me titull “Evolucioni i sistemeve patogjen–bimë përmes genomikës së herbariumit: raste studimore të patogjenit të urisë irlandeze të patates Phytophthora infestans dhe të patogjenit të zjarrit të shenjtë Claviceps purpurea”, u prezantua pas katër vitesh kërkimesh të thelluara dhe angazhimi të vazhdueshëm akademik.

- Advertisement -

Në një sallë të mbushur me profesorë, doktorantë dhe studentë të ciklit master, Donika mbajti një prezantim të nivelit të lartë profesional, i cili zgjati mbi 45 minuta dhe tërhoqi vëmendjen e veçantë të të pranishmëve. Gjatë sesionit të pyetjeve dhe diskutimeve, u vu re interesimi i lartë dhe vlerësimi për kontributin e saj kërkimor, që përbën një shtesë të rëndësishme në fushën e biologjisë molekulare dhe patologjisë së bimëve.

Vlen të theksohet se Donikë Sejdiu ka qenë edhe nxënëse e shkollës shqipe në Zvicër për nëntë vite me radhë, ku hapat e diturisë i mori edhe në gjuhën amtare. Rruga e saj akademike, nga komuniteti shqiptar në mërgatë deri te suksesi në një universitet prestigjioz ndërkombëtar, është frymëzim për brezat e rinj.

Ky shembull, dhe shumë të tjerë si Donika, dëshmojnë se të rinjtë shqiptarë janë gjithnjë e më shumë vlerë e shtuar jo vetëm për shoqërinë zvicerane, por edhe për vetë Atdheun. Me punë, përkushtim dhe arsimim cilësor, ata po japin dëshmi konkrete të potencialit që mbartin.

- Advertisement -

Komuniteti shqiptar në Zvicër dhe Atdheu krenohen me arritjen e Donikës, duke e parë atë si simbol të suksesit dhe përfaqësimit të denjë në botën shkencore ndërkombëtare.

/Albinfo,ch/.