Organizata Teach For Kosova në kuadër të projektit “Future of Education”, ka mbajtur konferencën ku u prezantuan instrumentet e reja për vlerësimin e përformancës së mësimdhënësve, shkruan Albanian Eduaction.
Teach For Kosova njofton se në konferencë prezent ishin drejtorë të Drejtorive Komunale të Arsimit, zyrtarë nga Ministria e Arsimit dhe Inspektorati Arsimor, mësimdhënës, nxënës dhe njohës të fushës së arsimit.
Gjatë vitit të parë të projektit “Future of Education”, Teach For Kosova punoi me 5 komuna partnere – Prishtinë, Prizren, Podujevë, Ferizaj dhe Mitrovicë dhe krijuan tri instrumente për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve.
Instrumentet përfshijnë:
Një rubrikë të vëzhgimit në klasë, bazuar në standardet të Udhëzimit Administrativ 14/2018 për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve.
Një anketë të nxënësve;
Një vetëvlerësim të mësimdhënësve në formë të pyetësorit.
Gjatë konferencës u prezentuan rezultatet pilotimit të procesit të ri të vlerësimit me 10 Fellows të Teach For Kosova të cilët janë të vendosur si mësimdhënës në shkolla publike në Kosovë.
Teach For Kosova njofton se bashkëpunimi i ngushtë me komunat partnere do të vazhdojë edhe në vitin e dytë të projektit ku do të zbatojë procesin e ri të vlerësimit me 500 mësimdhënës të shkollave publike, 100 në çdo komunë.
“Viti i dytë i projektit parasheh edhe krijimin dhe trajnimin e grupeve punuese komunale të cilët do të fasilitojnë procesin e vlerësimit të mësimdhënësve. Rezultatet e procesit do të jenë anonime për publikun, por secili mësimdhënës do të mund t’i shohë rezultatet personale”, thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të vlerësimit të mësimdhënësve, Teach For Kosova do t’i analizojë të dhënat dhe do të krijojë një raport për performancën e mësimdhënësve të vlerësuar.
Instrumentet e vlerësimit të mësimdhënësve do të ndahen me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe të gjitha komunat e Kosovës.
Ky projekt implementohet nga Teach For Kosova dhe mbështetet nga organizata globale Teach For All.