“Do jemi pranë jush përherë” – mesazhi prekës i drejtoreshës së shkollës “Iliria”, për nxënësit që humbën babain

- Advertisement -

Djana Kociaj, ka ndarë një mesazh prekës për dy nxënësit e saj, Sardin dhe Sevien Haxhia, të cilët humbën babain në një aksident tragjik gjatë vizitës në atdhe. Me fjalë plot dashuri, ngushëllim dhe forcë, ajo u kujtoi se shkolla dhe mbarë komuniteti shqiptar do të jenë gjithmonë pranë tyre, shkruan AlbanianEducation.net.

- paragrafi 1 -

Mesazhi i plotë Djana Kociaj, drejtoreshë e shkollës “Iliria” në Londër:

- Advertisement -

Atdheu nuk mund ” të ndërpritet” në një çast

Në pikëllimin e një lajmi sa tronditës, aq edhe të paimagjinueshëm për komunitetin shqiptar në Londër, dhimbja si bashkëkombase, si nënë si arsimtare, shkon për Sardi dhe Sevie Haxhia, nxënësit e dashur të Shkollës Shqipe ” Iliria” në Londër.

Prej 14 vitesh familja e tyre jetonte në Mbretërinë e Bashkuar.Jeta e ndarë mes atdheut dhe mërgimit për këta fëmijë të mrekullueshëm , u ndërtua nga dy prindër të mrekullueshëm me dashurinë për Shqipërinë, për gjuhën shqipe e mbi të gjitha për traditat tona si : mikpritja, besa, burrëria dhe krenaria. Me dëshirën që gjuha shqipe të jetonte e të rritej tok me fëmijët e tyre, këta prindër të përkushtuar sollën Sardin dhe Sevien në shkollën tonë. Por…

- Advertisement -

Çfarë mund t’u themi të pafajshmëve Sard dhe Sevije tash? Si mund t’u shpjegojmë që Atdheu i tyre është ndryshe nga ai Atdhe që ata ngjyrosën te flamuri kuqezi ? Si mund t’u shpjegojmë atyre se traditat tonë nuk përcillen te të gjithë njësoj? Si mund t’u shpjegojmë se burrëria zbehet para inatit të pashkak?Si t’u shpjegojmë atyre se ardhjet në gjirin e atdheut shpesh janë ikje të njerëzve më të dashur?

Jeta dhe gëzimi i tyre u pikëpre një çast , kur krenaria për lashtësinë dhe historinë e kalave shqiptare ( atë çka ata kishin mësuar në shkollë,në gjuhën amtare), u kthye në një tragjedi që mori kaq mizorisht jetën e Atit të tyre. Deri kur kështu??A ka vlerë ndjenja e pendimit në moskthimin e një jete që u pre në mes?

Jeta do të vazhdojë me rutinën e ditëve, muajve, viteve, por zbrazëtia , dhimbja, mungesa do të jenë udhëtarë të dy zemrave të brishta.

Por, Atdheu nuk është vetëm ky çast kaq i dhimbshëm.Atdheu është dëshira dhe amaneti i Atit tuaj, që ju, ne të gjithë ta bëjmë një vend më të mirë, duke dhënë kontributin tonë edhe këtu në mërgatë, duke e dashur dhe punuar për përparimin e tij, se në të jetojnë rrënjët tona njerëzit tanë të dashur.

Ëngjëjt tanë, Sard dhe Sevie:

Në përmbushje të dëshirës dhe dashurisë që Ati juaj i mirë kishte për rrënjët e veta, Atdheun, gjuhën shqipe, dhimbja në zemrën tuaj të brishtë duhet të shndërrohet në forcë malesh.Jemi pranë jush dhe familjes suaj përherë!

Me dashuri dhe solidaritet, stafi i Shkollës Shqip “Iliria”, Londër.