Emisioni “Stop” udhëtoi drejt Roskovecit këtë të premte. Prindi i një djali me nevoja speciale është i shqetësuar pas vendimit, që mori komisioni multidisiplinor, i cili vendosi që ky fëmijë në klasën e tretë, duhet të bëjë 2 orë mësimi me mësuesen mbështetëse dhe 2 orët e tjera të qëndrojë në klasë pa të, por me mësuesin e klasës.
“Këtë e vendos psikologia dhe ZA-ja. Dy orë ë qëndron me mësuesen mbështetëse në klasë sillet shumë mirë”.
Sipas nënës, fëmija i saj, e ka të pamundur, që të qëndrojë pa mësuesen mbështetëse, pasi nuk rri dot në klasë si të gjithë fëmijët dhe bëhet shkak i prishjes së orës së mësimit.
Megjithëse zonja e ka bërë ankesën disa herë pranë ZA-së Roskovec, nuk ka marrë zgjidhje.
“Ka trakuar dhe drejtoreshën, kam bërë dhe kërkesa e nuk kam marrë asnjë përgjigje”, tha nëna.
“Nga vlerësimi që i kanë bërë ku kam çuar djali në qendra serioze më kanë thënë që “po” djali meriton 4 orë duke parë edhe ecurinë e tij”, shtoi ajo.
“Stop” kontaktoi me drejtoreshën e shkollës “Alush Grepcka” në Roskovec.
“Ne si drejtori kemi zbatuar vendimin që ka marrë ZA Roskovec. Fëmija sivjet ka kaluar dy orë mësim me mësuese mbështetëse. Vitet e tjera ka qenë katër orë. Komisioni e ka pasur të arsyeshme se fëmija ka përparuar dhe këtë vit ka dhënë dy orë. Nuk kemi qenë në dijeni të kërkesave të prindit. Më vonë ai ka kërkuar që fëmija të marrë katër orë me mësuesen mbështetëse. Do t’i bëjmë kërkesë Zyrës të shqyrtojë rastin”, tha drejtoresha.
Mësuesja mbështetëse e fëmijës, thotë, se Elio është shumë i lidhur me të, madje e ka mbajtur edhe vullnetarisht atë, pasi i vogli ka nevojë për 4 orë mësim.
“Elio është i lidhur me mua realisht. E ka vënë re mësuesja e klasës, fëmijët dhe prindi. Ato dy orë që qëndron me mua është shumë i qetë punon, bashkëpunon. Neve nuk na lejohet të dalim nga klasa, punojmë brenda në klasë. Arrijmë objektivat që duhen, pastaj. Në mënyrë vullnetare, unë e mbaj edhe dy orë të tjera që bëj terapitë me fëmijën në një ambient që ka klasa bosh. Tani ato dy orë që ka në klasë i shfrytëzojmë për anën akademike, pastaj kalojmë në mënyrë vullnetare pasi nuk ka përfituar orët që ka kërkuar prindi. Sot në fakt ai ka patur një shqetësim. Në momentin që jam larguar, kam shkuar te klasa e fëmijës tjetër sepse kam dy fëmijë me aftësi ndryshe, ka qenë duke qarë. Më ka lajmëruar mësuesja e klasës, më ka sjellë fëmijën tek klasa tjetër e kam mbajtur, e kam qetësuar disi dhe e kam kthyer. Më ka ardhur përsëri mësuesja, më ka thënë se nuk qëndron dot. Kam lajmëruar prindin. Prindi më ka thënë, që të mësohet sepse nuk kemi alternativë tjetër”, tha mësuesja mbështetëse.