Në zonën industriale që e lidh Prishtinën me Fushë Kosovë, në një barakë jeton 35-vjeçari Brahim Latifi bashkë me gruan e tij Arbërshen e tre fëmijët e tyre. Atyre u mungojnë kushtet elementare për jetë.
Gazetarja e Reporteri.net, Leonora Kolukaj, ka vizituar sot këtë familje, të cilët kanë rrëfyer për kushtet e rënda në të cilat jetojnë. Nuk kanë as rrymë.
Kërkesa e tyre kryesore është gjetja e një strehimi.
“Kjo kur bjen shi, lëkundet. Unë me tutë rri. Një dhomë veç me kanë e sigurt hatri i fëmijëve. Po foli prej zemrës së plastë”, rrëfen Arbëresha mes lotësh.
Ajo tregon se të pesë anëtarët bëjnë jetesë me vetëm 90 euro.
“Me 90 euro mbahemi. Sendet shtrenjtë. Shumë herë djalin e kom çu pa hongër në shkollë, plus shtëpi jo, kjo është katastrofë…Veç po vjen tu u rëndu jeta”, thotë ajo.
Kryefamiljari Brahimi rrëfen se nuk di nga t’ia mbajë po qe se e rrënojnë këtë barakë.
Ai ka edhe probleme shëndetësore, ndaj e ka të vështirë të punojë.
“Rrymë nuk ka. Shumë problem, shumë vështirë. Po punoj kapak, nuk jam mirë me shnetë. Jam tu e shty me zorë, s’po rrej. Nesër e rrëzojnë barakën, unë për veti nuk e di ka ia mbajë. Si prind, e kam shumë vështirë…Te kisha ditë, kurrë martu nuk isha”, ka rrëfyer ai. / Marrë nga Gazeta Online Reporteri.net