Marrë nga ditari i një nxënëseje në klasës e 11-të e cila rrëfen për ngjarjen më të rëndësishme të ndodhur këto tri javët e fundit….
I dashur ditar…
Ja tek po kthehem sërisht tek ti, miku im i vjetër. E di që ka kaluar shumë kohë që kur të kam shkruar për herë të fundit.
Kohët e fundit kam qenë shumë e zënë me mësime. Për të përmbushur qëllimet që kam në jetë, është e domosdoshme të mësoj dhe të punoj fort.
E di që para një jave desh më zuri paniku?! Arsyeja ishte provimi që kisha në lëndën e Matematikës.
Një ditë më parë profesori na kishte njoftuar se kishim provim në Matematikë.
Isha shumë vonë për në mësim dhe pasi zbrita nga autobusi, rugën e përshkrova thuajse me vrap. Kur mbërrita në klasë nuk mbushesha dot me frymë. Gjatë gjithë natës së kaluar kisha studiuar dhe orët kishin rrjedhur shumë shpejt dhe pa kuptuar. Më kishte zënë gjumi mbi librin e matematikës dhe shënimeve të shumta që kisha bërë. Mbase kjo ishte arsyeja pse atë mëngjes isha vonë për në mësim.
Kur profesori më vuri përpara fletën e provimit mu duk sikur tërë ato që kisha mësuar një ditë më parë kishin avulluar.
E mblodha shpejt veten. Fillova të shkruaja duke e humbur sensin e kohës.
Kur profesori pasi kishte rënë zilja për të mbaruar ora e mësimit, mblodhi fletët e provimit , pata ndjesinë se diçka kisha harruar pa shkruar.
Ditë më vonë dolën rezultatet e provimeve nxitova për të parë rezultatet edhe pse çuditërisht kisha ndjesinë se kisha marrë një notë maksimale.
Profesori mbante në dorë fletët dhe therriste emrat e secilit, dhe më në fund erdhi rradha ime.
E mora fletën e provimit në dorë edhe kur pashë notën ndihesha shumë mirë edhe mjaft krenare për veten që kisha marrë një notë maksimale.
Ndërsa sot ishte një ditë e trishtë, mbushur plot ankth.
Në mëngjes u dha lajmi se janë identifikuar dy rastet e para me Covid-19 në Shqipëri. Vendi ishte në gjendje karantine.
Shkollat do të mbyllen deri në një afat të pacaktuar.
Sot në shkollën time të gjithë ishin të alarmuar. Asgjë nuk dukej si një ditë më parë. Nxënësit dukeshin të tensionuar ndërsa mësuesit kishin një çehre të zbehtë megjithëse përpiqeshin të qetësonin nxënësit se gjithçka ishte nën kontroll.
Ata na bënë me dije se mësimi do të zhvillohej online.
Tani sa u ktheva në shtëpi. Prindërit e mi janë po aq të shqetësuar sa edhe unë, por ato përpiqen të mos bien në sy për të mos na mërzitur ne. Babi na qetëson duke na thënë se shumë shpejt gjithçka do t’i kthehet normalitetit.
Shpresoj që nesër kur të zgjohem gjithçka të ketë kaluar.
Kaq për sot.
Mikja jote më e mirë Jonida!
Jonida Kolaveri, Shkolla Said Najdeni Peshkopi, klasa XI
(Portali Shkollor)