Asamblisti nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ekrem Sadiku, ngriti shqetësimin se në disa shkolla të Mitrovicës të Jugut punojnë mësimdhënës me shkollim të mesëm.
Atij iu përgjigj Drejtoresha e Arsimit, Drita Kadriu e cila tha “me shkolla të mesme i kam gjetë dhe do t’i lë kështu”.
Ajo nuk e kundërshtoi asamblistin madje duke shkaktuar të qeshura në sallë tha se i njejti problem do ta pres edhe drejtorin e ardhshëm të Arsimit në këtë komunë, i cili sipas saj përsëri do të jetë nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Nëpër shkollat e Mitrovicës ende figurojnë mësimdhënës me shkolla të mesme ku japin mësim. Ende figurojnë mësimdhënës të cilët me cikël të ulët japin gjermanisht”- u shpreh Sadiku.
“Që nga vitet e 90-ta nëpër terrene, në shkolla, në mungesë të kuadrit, janë rekrutuar njerëz të përafërt në profesion. E ke inxhinierin që jep matematikë në Bajgorë, ekonomistin që jep matematikë në Rahovë. Me shkolla të mesme edhe i kam gjet dhe do t’i lë ashtu, ty jo por drejtorit të ardhshëm besoj të PDK-së”- ia ktheu drejtoresha.
Ajo shtoi se për pranimin e mësimdhënësve të gjuhës gjermane, të paktën tre herë është hapur konkurs.
E sipas saj në mungesë të kuadrove të kualifikuara është imponuar që mësimdhënësit e gjuhës angleze si fushë e gjuhëve të huaja të mbajnë orët e gjuhës gjermane.