Disa nxënës të shkollës “Zenel Hajdini” kundërshtojnë ndërrimin e mësueses në klasën e dytë

- Advertisement -

Prindërit e 25 nxënësve të klasës së dytë të Shkollës “Zenel Hajdini” në Prishtinë kanë kundërshtuar fillimin e mësimit këtë të hënë. Ata kanë pezulluar pjesëmarrjen e fëmijëve të tyre në orët mësimore.

- paragrafi 1 -

Arsyeja, sipas tyre, është ndërrimi i mësueses që i kishte mësuar fëmijët në klasën e parë, vendim që thonë se është marrë pa asnjë konsultim me ta.

- Advertisement -

Para hyrjes së shkollës edhe nxënësit dolën me pankarta në duar, me mbishkrime – “Mësuesja jonë, e drejta jonë” dhe “Stabilitet për fëmijët, jo vendime të padrejta”, duke kundërshtuar fillimin e mësimit me mësuesen e re.

- Advertisement -

Përfaqësuesi i prindërve, Sadik Paqarada, tha se vendimi i drejtorisë është i papranueshëm dhe se prindërit nuk do të lejojnë fëmijët të kthehen në bankat shkollore deri sa t’u rikthehet mësuesja e parë.

“Po flas në emër të prindërve, jemi duke shprehur një pakënaqësi që është bërë ndaj fëmijëve tanë. E kanë ndërruar mësuesen tash që po e fillojnë klasën e dytë. Ne jemi duke shprehur pakënaqësinë sepse nuk kemi pasur asnjë njoftim të qartë; kemi marrë vetëm një lajmërim, por pa asnjë sqarim dhe pa asnjë kompromis është bërë ndërrimi i mësueses”, tha Paqarada.

“Jemi duke kundërshtuar ndërrimin e mësueses sepse duam mësuesen e parë. Asnjëherë, në asnjë mënyrë, pa fyer inteligjencën e asnjë mësimdhënësi tjetër që është këtu. Ne duam mësuesen që e kanë pasur fëmijët, të kthehet ajo. Drejtoresha e ka ndërruar, por ne po kërkojmë vetëm mësuesen që e kanë pasur nga klasa e parë”, shtoi ai.

“Me sa jam i informuar, kanë komunikuar me drejtoreshën, por duket se janë injoruar. Nuk ka pasur ndonjë komunikim të mirëfilltë. Janë dërguar edhe email-e në ministri, por nuk ka pasur asnjë përgjigje, as nga drejtoria e arsimit”, theksoi përfaqësuesi i prindërve.

“Ne jemi duke kërkuar që mësuesja t’u kthehet fëmijëve në mënyrë absolute. Sa të mundemi do ta sabotojmë mësimin, që fëmijët të mos hyjnë në shkollë. Do t’i përkrahim fëmijët tanë, sepse kjo është një ndjeshmëri e madhe për ta, meqë kanë qenë vetëm një vit në klasën e parë dhe sapo janë stabilizuar”, u shpreh Paqarada.

Ndërkohë, sot në Shkollën “Zenel Hajdini” ka filluar procesi mësimor pas përfundimit të renovimit të godinës shkollore. /Marrë nga Ekonomia Online