Mbesa e heroinës Xhevë Krasniqi, e cila mban edhe emrin e saj, ka diplomuar me sukses në Mjekësi, duke shënuar një arritje të rëndësishme në rrugëtimin e saj akademik.
Lajmin e ka bërë të ditur babai i saj, Selim Krasniqi, përmes një njoftimi publik, ku ka shprehur krenarinë për suksesin e së bijës dhe emocionet e përjetuara gjatë ceremonisë së diplomimit.
“Me punë e përkushtim, duke pasur në mendje zotërimin sa më të mirë të profesionit human e fisnik siç është mjekësia, u diplomua dhe na bëri të ndihemi mirë e shumë krenarë”, ka shkruar ai.
Selim Krasniqi ka bërë të ditur se, së bashku me familjarët, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit, të cilën e përshkroi si një moment të veçantë dhe plot emocione për të gjithë familjen.
Me këtë rast, ai u ka uruar suksese jo vetëm vajzës së tij, por edhe të gjithë studentëve shqiptarë që diplomuan, duke shprehur dëshirën që ata të rikthehen sa më parë në atdhe për të ushtruar profesionin e mjekut me profesionalizëm dhe përkushtim.
“Urime bija jonë e të priftë e mbara!”, përfundon urimi i tij.

