Ka diplomuar gjenerata e parë me 19 nxënës në profilin Floktari, në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, të cilët përmbyllën një rrugëtim trevjeçar, shkruan AlbanianEducation.net.
Për diplomimin e tyre ka shkruar edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti i cili ka thënë se ky moment është më shumë se një certifikim, është kurorëzim i një rruge me përkushtim, punë dhe vizion.
Postimi i kryeministrit:
Urime diplomimi gjeneratës së parë me 19 nxënës në profilin Floktari, në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, të cilët përmbyllën një rrugëtim trevjeçar. Ky moment është më shumë se një certifikim, është kurorëzim i një rruge me përkushtim, punë dhe vizion, për të rinjtë dhe të rejat që po ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme me dije dhe aftësi, vetëbesim dhe përgatitje për jetën e punën.
Jetësimi i arsimit dual në shkollat tona profesionale është prioritet kyç i Qeverisë sonë dhe një nga projektet më domethënëse për të ardhmen e rinisë dhe të ekonomisë së vendit tonë. Përmes tij po ndërthurim teorinë me praktikën dhe afrojmë të rinjtë me tregun real të punës.
Ka filluar në vitin 2022 në katër shkolla, në katër profile të ndryshme, në tre komuna të Kosovës, duke përfshirë 107 nxënës, të cilët besuan në këtë rrugëtim të ri. Sot, arsimi dual po zbatohet në 25 shkolla profesionale, në 14 komuna, në gjithsej 12 profile, ku janë përfshirë mbi 1600 nxënës dhe po zhvillohet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare i ndërtuar mbi modelin gjerman, një prej më të suksesshmeve në botë.