Diplomojnë 450 studentë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren

- Advertisement -

Nga Universiteti që mban emrin e personalitetit të ngritur kombëtar, Ukshin Hoti, në qytetin e Prizrenit, sot diplomuan 450 studentë të gjeneratës 2025.

- paragrafi 1 -

Në këtë organizim i pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili ka përgëzuar të gjithë studentët e diplomuar, shkruan AlbanianEducation.net.

- Advertisement -

- Advertisement -

Fjala e tij e plotë në ceremoninë e diplomimit:

I nderuari Rektor i Universitetit “Ukshin Hoti”, Prof. Mentor Alishani,

I nderuari zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit z. Taulant Kelmendi,

I nderuar Kryetar i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi,

E nderuara familje e Prof. Ukshin Hotit,

I dashuri Andin dhe Brisilda,

Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues,

Të nderuara profesore e profesorë, studente e studentë,

I nderuari konsull i Turqisë në Prizren, z. Celal Doğan,

Të nderuar invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të dashura familje të dëshmorëve të kombit,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Sa herë gjendemi në ambiente të dijes e të mendimit, të krijimit e të mësimit, ndjesitë janë të njëjtat: energji për jetë dhe shpresë për ardhmëri – por secilën herë të amplifikuara. Janë po këto ndjesi që na shoqëruan javën e kaluar në Pejë, ku me po kaq entuziazëm përcollëm gjeneratën e të diplomuarve të Universitetit “Haxhi Zeka”. Sot po shënojmë përmbylljen e ciklit të studimeve për gjeneratën 2025 në universitetin tuaj, i cili mban emrin e një personaliteti të ngritur si Ukshin Hoti, në një qytet të ndritur si Prizreni.

Nga 23 programe studimi në gashtë fakultete të ndryshme, me mbi katër mijë studentë aktiv gjithsejtë, 450 studentë dalin sot me diplomë në dorë. E njoh ndjenjën e finalizimit të një pune të madhe, sidomos diplomimi i cili shtron rrugën e jetës si asnjë proces e projekt tjetër. Pavarësisht nëse kjo është diploma e parë apo e fundit që e merrni, para jush keni një të ardhme dinjitoze. Ligjëratat, provimet dhe çdo aspekt i jetës universitare janë gurët e bazamentit intelektual e shoqëror që keni vendosur këtu dhe keni ndërtuar këtu dhe ngado që do të shkoni. Ndonëse mund ta nisim me përgëzime dhe ta përmbyllim me urime, janë disa veçori të rrugëtimit tuaj në këtë institucion të cilat besoj se meritojnë të theksohen.

Që ju studentë që po diplomoni sot jeni e ardhmja e vendit tonë, kjo tashmë dihet. Ju jeni shkencëtarët, edukatorët, menaxherët, inxhinierët, juristët dhe politikanët e së nesërmes së Kosovës. Formësimi i duhur i përgatitjes suaj si profesionistë dhe vendimmarrës të ardhshëm kërkon politika të kujdesshme dhe të pjekura. Dhe pikërisht kjo ka qenë pista e veprimit të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit që nga marrja e mandatit, me vizion të qartë dhe përkushtim të palëkundur.

Vetëm brenda një mandati të Qeverisë sonë kemi investuar mbi 637 mijë euro në kampusin e Universitetit “Ukshin Hoti”, ku nuk ka pasur investime qysh nga vitet ’70-të të shekullit të kaluar. Kjo punë është ndërmarrë për të mirën e të gjithë studentëve pa dallim, përfshirë edhe studentët e pakicave duke pas parasysh se këtu jepet mësim dhe studiohet në pesë gjuhë: përveç shqip edhe në boshnjakisht, anglisht, turqisht e gjermanisht, por edhe për studentët me nevoja të veçanta për të cilët është instaluar për shembull për herë të parë ashensori. Të tilla investime i kemi shtrirë edhe në universitetet publike në Gjilan, në Ferizaj, Pejë, Gjakovë e Mitrovicë, në vlerë totale mbi 11 milionë euro në objekte, pajisje laboratori dhe inventar. E prej sot mund t’ua jap lajmin tjetër të gëzuar që fillojnë pagesat nga 500 euro për 201 studentë që marrin bursa këtu.

Dhe puna jonë e përbashkët vazhdon, sepse nevojat vazhdimisht ndryshojnë por edhe ne të gjithë përshtatemi mençur si institucione e si shoqëri, si shtet e si komb.
Mbështetja për Universitetin “Ukshin Hoti” është plotësisht e merituar. Mes të tjerash, janë për t’u lavdëruar aktivitetet e larmishme të universitetit tuaj, që nga panairi i punës e i karrierës dhe promovimi i botimeve të reja, e deri te shfaqja e “Tartufit” klasik të Molierit nga studentët tuaj të Filologjikut para 10 ditësh. Bravo! Një gamë kaq e gjerë e lëvrimit të disiplinave është vërtet mbresëlënëse dhe shembull edhe për universitetet e tjera. Në qarqet e ngritura akademike tashmë është e qartë se dija dhe avancimi më së miri realizohen në mënyrë ndërdisiplinare, aty ku shkenca dhe arti pra ngërthehen bukur duke plotësuar njëra tjetrën.

Të nderuar pjesëmarrës,

Tashmë është bërë traditë që 17 qershori t’i kushtohet mendimtarit, e politikanit, filozofit e atdhetarit Ukshin Hoti. Këtu tek ju në kampusin e universitetit që mban emrin e tij unë erdha nga Krusha e Madhe, vendlindja e Ukshin Hotit, nga Shtëpia Muze aty, e bacës Ukë, kushtuar atij.

Në jetën e secilit prej nesh ka njerëz që lënë gjurmë të thella – e njëjta gjë vlen edhe për jetën e një kombi apo shteti. Vendi i Ukshin Hotit në historinë e Kosovës është i skalitur në mënyrë të pakthyeshme. Teksa çdo vit në këtë datë kujtojmë e reflektojmë, çdo vit më shumë kuptojmë peshën dhe vlerën e trashëgimisë së Ukshin Hotit. Mungesa e tij fizike kthehet për neve në inkurajim dhe forcë shtytëse, teksa çojmë përpara vizionin e tij intelektual e patriotik për Kosovën. Kjo është pjesë e detyrës fisnike të krejt trupës suaj universitare, dhe prej tani e tutje edhe të juve studentë të dashur të sapo diplomuar.
Të jeni krenarë për emrin e Universitetit tuaj dhe ta gëzoni diplomën nga ky Universitet.
Suksese të gjithëve! E ju faleminderit nga zemra për ftesën, mikpritjen dhe vëmendjen!