Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka mbajtur dje Ceremoninë e Diplomimit të studentëve që mbetet një nga organizimet më kryesore për nga pesha dhe rëndësia si akademike, por dhe emocionale që kurorëzon mundin dhe dëshirën e rëndësishme dhe të shumëpritur nga studentët.
Në këtë ceremoni kanë marr pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, Ministrja e MAShTI-it, Arbërije Nagavci, Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryetar të Komunave, Familjarë të Atdhetarit Kadri Zeka, përfaqësues të Institucioneve tjera Publike dhe Private, familjarë të të diplomuarve dhe të pranishëm të tjerë.
Fillimisht, studentët e diplomuar të veshur me uniformën solemne, ai i Fakultetit të Edukimit, Fakultetit Juridik, Fakultetit Ekonomik, Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Fakultetit të Shkencave Aplikative kanë parakaluar në prani të mysafirëve, për të vazhduar në tribunën kryesore.
Pastaj, po ashtu solemnisht kanë filluar ti zënë vendet e tyre edhe Rektori, Prorektorët, Dekanët e Njësive Akademike dhe Sekretari i Përgjithshëm.
Më pas është bërë intonimi i Himnit të Kosovës dhe Himnit Kombëtar.
Rreth punës, sukseseve, të arriturave dhe sfidat që e kanë përcjellë ose që i ka edhe sot Universiteti Publik “Kadri Zeka”, ka folur Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku.
Ai pasi ka përshëndetur të pranishmit, ka uruar studentët dhe ka falënderuar stafin akademik e administrative për punën dhe angazhimin e treguar në fusha të ndryshme në të mirën e Universitetit në përgjithësi. Rektori ka thënë se të diplomuarit janë dëshmi e përkushtimit, punës së palodhshme dhe mbështetjes së familjeve e stafit akademik.
Ndër tjerash Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka thënë se Universiteti ynë ka arritur rezultate të rëndësishme, si akreditimi institucional pesëvjeçar, zgjerimi i programeve, forcimi i hulumtimit shkencor dhe bashkëpunimet ndërkombëtare. Por sipas Rektorit, sfida jonë mbetet ndërtimi i kampusit modern dhe rritja e kapaciteteve shkencore e teknologjike.
Rektori theksoi se ky rrugëtim nuk është fundi, por fillimi i një kapitulli të ri. Ai tha se të diplomuarit do të bëhen mësues, inxhinierë, juristë, ekonomistë e liderë të ardhshëm, ndërsa rrënjët e këtij rrugëtimi i kanë pikërisht në Universitetin Publik “Kadri Zeka”. Të diplomuarit, siç u shpreh Rektori, përbëjnë një dritë të re për shoqërinë tonë.