Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ka nisur fushata sensibilizuese dhe mobilizimi i të gjitha subjekteve brenda dhe jashtë institucioneve edukative e arsimore në favor të rritjes e mirëqenies dhe mbrojtjes së fëmijëve në kontekst edukativ e arsimor dhe më gjerë.
Ajo thotë se Forumi Nacional për Shkollat Miqësore “Rritemi bashkë”, në kuadër të MASHTI ka nisur një iniciativë me posterë dhe infografe për parandalim, identifikim trajtim dhe raportim të dhunës në shkolla.
Njoftimi i saj:
Mirëqenia është e drejtë themelore e fëmijëve. Institucionet e kanë obligim të sigurohen në respektimin e të gjitha të drejtave të garantuara të fëmijëve.
Forumi Nacional për Shkollat Miqësore “Rritemi bashkë”, në kuadër të MASHTI ka nisur një iniciativë me posterë dhe infografe për parandalim, identifikim trajtim dhe raportim të dhunës në shkolla.
Kjo shënon fillimin e fushatës sensibilizuese dhe mobilizimin e të gjitha subjekteve brenda dhe jashtë institucioneve edukative e arsimore në favor të rritjes e mirëqenies dhe mbrojtjes së fëmijëve në kontekst edukativ e arsimor dhe më gjerë.
Publikimi i këtyre posterëve ka për qëllim të rikthejë në vëmendje zbatimin e Rregullores qeveritare për Protokollin për Parandalim dhe Referim të Dhunës në Arsimin Parauniversitar.
Gjithashtu, përmes tyre adresohen veprimet ndërinstitucionale për trajtimin e temës së dhunës si dhe hapat e identifikimit të hershëm, trajtimit dhe raportimit sipas legjislacionit në fuqi.
Këta posterë kanë karakter informues për mësimdhënësit, nxënësit si dhe komunitetin e prindërve dhe grupeve tjera të interesit.
Parandalimi i dhunës dhe mbrojtja e fëmijëve është parakusht për mirëqenien e tyre dhe motivon zhvillimin e fizik, intelektual, social e emocional.