Mëngjesin e së enjtes, shtatë nxënës të një shkolle fillore në Prizren janë helmuar me ushqim në një furrë buke.
Ata janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërkaq Inspektorati Sanitar ka mbyllur furrën.
Shtatë nxënës të një shkolle fillore në Prizren kanë ngrënë pica në një furrë buke në afërsi të shkollës.
Ushqimi që hëngrën aty mëngjesin e së enjtes, u bë shkaktar që ata të përfundojnë në spital me simptoma të helmimit, të manifestuar me vjellje.
Burime të Express brenda Policisë së Kosovës kanë deklaruar se gjendja shëndetësore e nxënësve për momentin është e mirë dhe nën kujdes mjekësor, përderisa tre prej tyre tashmë janë liruar në shtëpi.
Furra e bukës nga ushqimi i së cilës dyshohet se u helmuan nxënësit, është mbyllur nga Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Lidhur me këtë rast ka njoftuar edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor”.
“Prizren, 16.12.2021 – 09:30. Raportohet se shtatë persona dyshohet se janë helmuar me ushqim, Njësitë relevante policore, një ekipe e ndihmës së shpejtë dhe inspektorët sanitarë kanë dal në vendin e ngjarjes. Personat e helmuar janë dërguar në spitalin e Prizrenit për trajtim mjekësor, ndërsa lokali ku janë shërbyer me ushqim është mbyllur nga inspektorët sanitar. Rasti vazhdon të hetohet”, ka bërë të ditur policia.