Shkollat në Shqipëri rezultojnë të pasigurta. Ky është konkluzioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas një auditimi të kryer nga shtatori 2021 deri në vitin 2024 mbi rolin e oficerëve të sigurisë dhe punën e strukturave arsimore.
Sipas raportit, monitorimi gati katërvjeçar tregon se procesi i sigurisë në shkolla është joefektiv, kryesisht për shkak të mungesës së koordinimit institucional. Edhe financimi mbetet minimal, pasi vetëm 0.4%–0.6% e buxhetit total të Ministrisë së Arsimit shkon për masat e sigurisë.
Dhunë fizike, psikologjike dhe bullizëm – problemet më të përhapura
Gjatë periudhës së audituar janë regjistruar: 892 raste dhune fizike, 333 raste dhune psikologjike/verbale, 186 raste bullizmi, 178 raste kërcënimesh, shantazhesh apo përndjekjesh dhe 133 raste të përdorimit të drogës, cigareve apo alkoolit
KLSH thekson se situata është përkeqësuar më tej në katër muajt e parë të vitit shkollor 2024–2025, gjatë të cilëve janë shënuar 528 incidente, kryesisht dhunë fizike, si dhe 8 raste të nxënësve të kapur me armë.
Raporti evidenton se jo të gjitha shkollat janë të mbuluara me oficerë sigurie. Edhe aty ku ka, aktiviteti i tyre vlerësohet se nuk i përgjigjet nevojave, pasi mungon kontrolli fizik i nxënësve dhe ambientit. Mospërputhja mes numrit të shkollave dhe stafit të sigurisë mbetet e theksuar:
Në Kukës dhe Gjirokastër, një oficer sigurie mbulon 25 shkolla
Në Tiranë, një oficer mbulon 3–4 shkolla
Sipas KLSH-së, oficerët e sigurisë nuk kanë detyrim ligjor për të raportuar incidentet. Edhe kur raportime bëhen, të dhënat nuk analizohen nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar. Në auditim është konstatuar presion nga drejtuesit e shkollave për të mos raportuar, nga frika se institucioni i tyre mund të kategorizohej si “shkollë jo e mirë”.
Kjo është reflektuar në numrin e ulët të rasteve të parandalimit: vetëm 182 parandalime të regjistruara nga viti 2021 deri në fund të 2024-s, çka tregon sipas KLSH-së se raportimi bëhet vetëm pjesërisht.
Për të përmirësuar situatën, KLSH kërkon ngritjen deri në vitin 2026 të një strukture të dedikuar për raportimin e problematikave të sigurisë në shkolla. Institucioni rekomandon që Ministria e Arsimit të krijojë një mekanizëm të qartë ligjor dhe funksional për mbledhjen dhe pasqyrimin e incidenteve, si mënyrë për të rritur transparencën, besueshmërinë dhe cilësinë e shërbimit të oficerëve të sigurisë.