Në një ceremoni solemne të mbajtur në Fakultetin e Mjekësisë, më 24 prill u shënua 50 vjetori i themelimit të Degës së Stomatologjisë – një ngjarje me rëndësi të veçantë për komunitetin akademik dhe profesional, që shënon një gjysmë shekulli përkushtim në edukimin e shumë gjeneratave, në zhvillimin shkencor dhe në shërbimin shëndetësor në Kosovë.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues institucionalë, profesorë, ish-studentë dhe profesionistë të shumtë të fushës së stomatologjisë. Fjalën përshëndetëse e mbajti Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Arben Hajrullahu, i cili vlerësoi kontributin shumëdimensional të kësaj dege në ndërtimin e kapaciteteve profesionale dhe akademike në vend.
Në shenjë vlerësimi, gjatë kësaj ngjarjeje solemne u ndanë mirënjohje për personalitete dhe bashkëpunëtorë të cilët dhanë kontribut të çmuar në të gjitha fazat e zhvillimit të
Degës së Stomatologjisë – nga themelimi e deri në ditët e sotme.
Ky jubile na fton të reflektojmë mbi rrugën e kaluar dhe të shohim me besim drejt së ardhmes, duke ruajtur dhe zhvilluar më tej trashëgiminë profesionale dhe akademike të krijuar me përkushtim ndër vite.