Data pesë e këtij muaji ka qenë afati që SBASHK-u ia ka vendosur Qeverisë Kurti, për ekzekutimin e pagave të shtatorit për këtë sektorë.
Por, duke qenë se sot është data 6 tetor, sektori i tillë s’e ka marrë asnjë cent nga qeveria, të paktën jo deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
Sido që të jetë, Kosova, për këtë çështje ka folur i pari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Ai tha se në grevë me ta ishin edhe punëtorët e shërbyesve civil, të cilët janë paguar për muajin shtator dhe thotë se pagesat duhet t’i merr edhe sektori i arsimit.
“Sa i përket atij deklarimit të kufirit me datë 5 për ekzekutimin e rrogave, është bërë që Qeveria të ketë një afat që të procedojë pagat, për shkak se njerëzit janë në kredi dhe duhet bëjnë pagesa, por nuk është ndonjë kufi strikt. Ne jemi në pritje që edhe për sektorin e arsimit të dalin pagat, ngase, besoj që edhe ministrja Nagavci e di që në të njëjtën grevë pjesëmarrëse ishin edhe shërbyesit civil të cilëve u kanë dal pagat për muajin shtator. Ndalesa e pagave është në kundërshtim me ligjin, pasi qeveria, saktësisht ministri Murati po përmend nenin 18 të Ligjit për Greva, por, e harron nenin 13, që thotë se punëdhënësi nuk ka të drejt të marrë masa ndëshkuese kundrejt grevistëve, që nënkupton që s’ka të drejt t’i ndalet paga askujt” tha ai.
I pyetur se a do ketë rifillim të grevës në rast se nuk procedohen pagat për arsim deri nesër, Jasharaj tha se është optimist se kjo gjë do ndodh, por, nëse jo, atëherë do mblidhet me gjithë përfaqësuesit e arsimit dhe ata do e thonë fjalën e fundit se çka do bëhet tutje.
“Unë nuk mund të flas për të, e vërteta është se ne e kemi traditë që çdo mbrëmje të mbajmë takime konsultative në SBASHK me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve, pasi SBASHK me status nuk ka të drejt të marr ndonjë vendim. Nëse kryetarët e nivelit komunal dhe universiteteve vazhdimisht e bartin mesazhin nga anëtarësia, merren vendime, por, njëherë për njëherë ne urojmë që të kemi paga e pastaj nëse jo do të mblidhet këshilli drejtues i SBASHK-ut ku janë gjithë përfaqësuesit e arsimit, nga çerdhet e deri në universitete dhe ata do e përcjellin zërin e anëtarësisë dhe do vendoset çka tutje. Unë jam optimist që qeveria do t’i procesojë pagat, sot, eventualisht nesër” përfundoi Jasharaj për Syri Kosova.