Mësuese Ariana Dhima, sjell përmes një interviste në Portalin Shkollor, eksperiencën e saj si mësuese e arsimit bazë, në shkollën “Kushtrimi i lirisë”.
Ariana Dhima, mësuese e arsimit fillor, në shkollën “Kushtrimi i lirisë”, Tiranë, në një intervistë për Portalin Shkollor, thkeson se mësuesia është profesioni, në të cilin sfidat dhe kënaqësia ndërthuren së bashku. Të jesh mësuese e fëmijëve që i përkasin një grupmoshe të vogël, është një mision, sepse duhet t’u mësosh atyre dashurinë për arsimin. Përmes një mësuesi që reflekton mirësi dhe pozitivitet, nxënësit mund ta duan më shumë shkollën.
Znj. Ariana, ju jeni mësuese prej sa vitesh? Çfarë mund të na thoni për eksperiencën tuaj në mësimdhënie?
Jam mësuese e arsimit fillor (klasa 1-5) në shkollën 9-vjeçare “Kushtrimi i lirisë”, Tiranë. Jam mësuese prej 10 vjetësh në këtë shkollë. Eksperienca në mësimdhënie është e jashtëzakonshme. Të mësosh të vegjëlit është vërtet një mision, sepse në këtë moshë ata bien në kontakt me shkollën dhe duhet të jemi pikërisht ne, mësuesit e fillores, që duhet të ngulisim tek ta, dashurinë për arsimin. T’u mësosh fëmijëve abc-në është privilegj. Unë e konsideroj të tillë. Kujtoj me nostalgji shumë nxënës, të shkathët, të zgjuar, inteligjentë. Por, edhe ato që kanë hasur vështirësi, sërish, ia kanë dalë dhe kanë shkëlqyer në mësime. Jam krenare për të gjithë nxënësit e mi të vegjël, të cilët e duan shkollën.
Ju i jepni mësim një grupmoshe të vogël. Çfarë përpiqeni t’u mësoni më së shumti?
Kur fëmijët vijnë në klasë të parë, është një sfidë më vete. Njëri e përjeton me frikë dhe ankth, një fëmijë tjetër me emocion. Është detyrë e mësuesit t’i bëjë nxënësit të ndihen të mirëpritur, duke i trajtuar në mënyrë të barabartë dhe duke i dhuruar shumë ngrohtësi. Unë synoj shumë që fëmijët të edukohen. Për mua, edukimi është faktori kyç, që shpie në sukses.
Çfarë është për ju mësuesia, cfarë përfaqëson?
Mësimdhënia është art. Duhet ta dashurosh atë që bën, të duash nxënësit, t’i kuptosh dhe të punosh me ta. Duhet të futesh në botën e tyre, në atë botë të pafajshme, në ata sy që të vështrojnë dhe që të ndjekin në çdo hap, çdo fjalë.
Si e shikoni situatën e arsimit në Shqipëri?
Arsimi në Shqipëri po ecën me ritme të kohës. Nxënësi është ai që vështron, eksploron, zbulon dhe jep mendimin e vet. Mësuesi e udhëzon, e drejton. Pra, unë e shikoj shumë pozitive situatën. Nxënësit janë mjaft inteligjentë. Ne jemi të përditësuar me metodat më të fundit, dhe sigurisht që zgjedhim atë që është më e mira për nxënësit tanë. Sigurisht që në këtë profesion duhet të përballësh me shumë vështirësi, por nëse ke profesionalizmin e duhur, duhet t’i bësh ballë të gjitha situatave, sado të komplikuara të jenë ato.
A keni pasur në fillim të karrierës suaj, një model të cilit dëshironit t’i ngjanit?
Në jetën time kam patur fat që modelin e mësueses ta kem të pranishme në çdo hap të punës sime. Ky model është nëna ime Dile Zere, mësuese në pension. E kam patur mësuese dhe kolege. Tani ajo është këshilluesja ime më e mirë. Një mësuese shumë e përkushtuar, e cila edhe sot flet me një pasion të jashtëzakonshëm për mësuesinë. Fakti që u rrita me një nënë mësuese, ma injektoi akoma më shumë dashurinë për këtë profesion.
Çfarë qëndrimi mbani ndaj rapotit mësues-nxënës-prind?
Një pikë e rëndesishme është bashkëpunimi me prindin e nxënësit dhe me vetë nxënësit. Unë në fillim kërkoj të informohem nga prindi për jetën sociale në familje (pasi ka prindër të divorcuar, ka nxënës që e kanë humbur një prind, apo gjendja ekonomike në familje). Janë faktorë që ndikojnë shumë tek një fëmijë dhe unë si mësuese, duhet të vihem në dijeni, në mënyrë që të di se si t’u vij në ndihmë. Për mua rëndesi ka që fëmija të vijë me dëshirë në shkollë dhe të ndihet mirë gjatë orëve mësimore. Nuk pranoj asnjë ofendim që mund të lindë midis shokëve. Ne duhet të jemi të kujdesshëm për të patur një qetësi psikologjike te nxënësit, që ata të thithin sa më shumë gjatë mësimdhënies. Për të përfituar këtë harmoni dhe qetësi, prirem të jem shumë e hapur dhe e komunikueshme me prindërit.
Cila është rruga që zgidhni për të vlerësuar nxënësin tuaj?
Nxënësit vlerësohen duke i inkurajuar dhe duke e parë në vazhdimësi përgatitjen, diskutimet, kryerjen e detyrave të dhëna, si dhe bashkëpunimin e tyre në grup. Asnjëherë nuk e vlerësoj nxënësin vetëm nga një përgjigje, apo rezultat testi, sepse mund të ndodhë që për një arsye apo një tjetër, ai nuk është përgatitur siç duhet. Ndaj, shikoj përgatitjen e nxënësit në tërësi, gjithnjë duke u përpjekur të nxjerr më të mirën nga ai.
A keni një mesazh për mësuesit e tjerë?
Po e kam një mesazh, që në fakt e përmend shpesh, kudo mundem. Mësues, bëni maksimumin tuaj, sepse kështu do të ndiheni të lumtur. Duke u ndjerë të lumtur, do të reflektoni shumë pozitivitet. Këtë pozitivitet do ia përcillni pa dyshim edhe nxënësve tuaj, për të cilët shkolla do të bëhet një vend më i këndshëm. Ajo që mua më motivon çdo ditë, është dëshira e madhe e nxënësve për të ardhur në klasë. Ne shënjojmë jetët e tyre, ndaj përgjegjësia është e shumëfishtë.
Ju falenderoj shumë që i kushtoni vëmendje këtyre njerëzve që i japin kaq shumë nxënësve, heronjve të heshtur!
(Intervistoi Parajsa Shtini; Portali Shkollor