E diel, 19 Janar, 2025

Dallimi mes një diplome të Oxford-it dhe një të UP-së është 873 vjet studim – dhe diçka më tepër

- Advertisement1-

Nga Lirim Mehmetaj

Rasti i fundit i mospranimit të një doktorante të Oxfordit si asistente në Universitetin e Prishtinës, do të duhej të ishte një pikë vlimi. Një moment që assesi s’bën të kalojë veç me reagime në Facebook.

- Advertisement -

Dënimi për anëtarët e komisionit vlerësues do duhej të ishte kapital – largim i menjëhershëm nga puna dhe dorëheqjet do duhej të përcilleshin deri te dekani.

Nëse e mendoni këtë si masë drastike dhe ekzagjerim, jeni po aq gabim sa të ashtuquajturit profesorë që vlerësuan procesin.

Universiteti i Oxfordit ka prodhuar 69 çmime Nobel. Është i treti në botë. Para tij janë vetëm Cambridge në Britani të Madhe dhe Harvard në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë dhjetëra mijëra universitetet, qindra mijëra shkencëtarë dhe fare pak çmime nobel, por 69 kanë kaluar nëpër Oxford. Sot e kësaj dite vazhdon të mbetet një nga universitetet më të mira për nga cilësia e studimeve, niveli i punësimit të studentëve dhe më prestigjiozi në botë për shkak të historisë.

Universiteti i Tiranës, e panevojshme për t’u thënë, s’ka prodhuar ndonjë nobelist, larg asaj. Është ndër më të dobëtit në botë në ranglistat që listojnë cilësinë e universiteteve dhe jo vetëm Universiteti i Prishtinës, por disa universitetet private në Kosovë janë të ranguara më mirë.

Për të përshkruar saktësisht se çfarë studime bëhen në UT, po e ndaj me ju një tregim.

Një studente e shkencave sociale kishte bërë doktoratën në Universitetin e Tiranës. Preokupimi i saj shkencor kishte të bënte me inteligjencën artificiale, mbase ndonjë ndërlidhje mes AI-së dhe ndikimit në shoqëri. E pyetur në një rast se çfarë është inteligjenca artificiale, ajo kishte thënë, citoj: “është kur bëhesh kinse di diçka por në fakt nuk e di”. Pra tregohesh artificial. Për të mos ia ofenduar inteligjencën askujt s’po vazhdoj me shpjegime se sa banal, deri në dhembje, është ky gabim në përkufizim.

- Advertisement -rrrrrrr

Universiteti i Prishtinës, Departamenti i Antropologjisë këto ditë ka pasur dy kandidate në kushte të barabarta për t’i pranuar në punë si asistente të jashtme – njëra duke bërë doktoratën në Universitetin e Oxfordit, Iliriana Blakaj dhe njëra me Master në Universitetin e Tiranës, Yllka Syla-Uka.

UP ka zgjedhur kandidaten me Master në Tiranë.

Mediat e nxorën lajmin dhe u kuptua se kjo nga Universiteti i Tiranës e ka burrin deputet të partisë në pushtet dhe gjithashtu është familjare e një zëvendës-ministri në qeverinë aktuale. Ndërlidhja u bë menjëherë – paska qenë vendim politik angazhimi i saj.

Por, deputeti/burri doli me një sqarim dhe tha se nëse e gjen dikush se ai ka ndikuar, është gati të largohet nga jeta politike e publike.

Ka mundësi që ai s’ka pasur dorë, por në një shtet/shoqëri që funksionon krejtësisht me lidhje familjare dhe ndikime nepotiste në punësim dhe numri i madh i familjarëve të këtij deputeti të punësuar në institucione të shtetit, e bën atë pak të besueshëm. Gjithsesi, reagimi i tij është i parëndësishëm.

Reagimi i bashkëshortes, tash asistentes, është ai që duhet lexohet me vëmendje.

Zonja Syla-Uka kishte shprehur befasinë e saj me diferencimin që njerëzit po bënin mes një diplome në Universitetin e Prishtinës apo Tiranës dhe një diplome në Oxford.

“Nëse studimet në UP dhe institucione të tjera publike kanë më pak vlerë dhe një gradë BA apo MA e fituar në UP vlen më pak se e njëjta gradë e fituar diku tjetër, atëherë është mirë të mos na mashtroni kinse po studiojmë kur jemi studentë dhe mos të mashtrojmë gjeneratat e reja kur angazhohemi si staf akademik”, shkruan ajo.

Jo se ekziston diferencë mes diplomës së fituar në Oxford dhe asaj në Tiranë, por diferenca është jashtëzakonisht e madhe. Vetë fakti që ajo nuk e ditka këtë gjë kaq të thjesht e bën të pakualfiikueshme për t’i ligjëruar dikujt.

E gjithë filozofia e studimit modern nënkupton perfeksionimin e metodave hulumtuese, kryesisht atyre kuantitative, të cilat ose nuk shpjegohen në UP ose shpjegohen keq. Derisa Universiteti i Oxfordit është themelues i disa prej këtyre metodave.

Në Universitetin e Prishtinës, aq më pak atë të Tiranës, profesorët nuk dinë të shpjegojnë as dallimin mes variablës së varur dhe variablës së pavarur.

E mbaj mend si sot, një semestër të tërë kishim mbajtur ligjërata dhe ushtrime në UP në lëndën “Metoda Kualitative dhe Kuantitative” dhe as çfarë është hipoteza null nuk na e shpjegonte kush. Aq më pak testim statistikor të hipotezave, e lërmë shpjegimin e gabimeve që mund të bëhen në vërtetimin e hipotezave kur e nxjerr si të pavërtetë një hipotezë null të saktë, ose e nxjerr si të vërtetë një hipotezë null të gabuar, që në shkencë njihen si “type 1 error dhe type 2 error”.

Në Universitetin e Prishtinës në shkenca sociale nuk mësohet statistikë, që është jetike për të kuptuarit e metodave kuantitative. Gjithashtu, programet kompjuterike për kryqëzimin e variablave dhe nxjerrjen e përfundimeve nuk mësohen, rrjedhimisht nuk mësohet as si lexohen të dhënat që tregojnë sistemet SPSS, STATA, apo R.

Yį = ƒ ( Xi , ß ) + ei

Kjo formulë, që tregon variablën e varur, funksionin, variablën e pavarur, parametrat e panjohur dhe termat e gabuar, ngjanë si shkencë raketash për studentët e shkencave sociale në Universitetin e Prishtinës.

Pra, një analizë regresive që është një set i proceseve statistikore që matë raportin në mes të variablës së varur dhe një apo më shumë variablave të pavarura, është procedurë e aliene në UP.

Madje, në UP lërë që nuk mësohet dallimi mes korrelacionit dhe kauzalitetit, por pothuajse nuk përmenden fare.

Dhe këto janë vetëm njohje bazë e metodave në shkenca sociale, është vetëm gërvishtje e sipërfaqes. Në universitetet mesatare evropiane këto mësohen në nivele fillestare të studimeve, kurse në UP e përfundon masterin dhe as metoda elementare siç janë “Grand theory”, “Thick description” apo analizimi i tekstit përmes kodimit nuk përmenden.

Derisa në UP këto metoda nuk mësohen, në universitetet si Oxford përtej se mësohen avancohen dhe zbulohen të reja e më pas shpërndahen nëpër botë.

Prandaj po, zonja Yllka, dallim ka dhe dallimi është i madh në mes të diplomave të UP-së dhe Oxofrdit. Dhe zgjidhja nuk është, siç propozon ti “ta mbyllim UP-në”.

Jo, nuk duhet ta mbyllim, por duhet të mirëpresim kandidat të tillë si Iliriana Blakaj që vjen nga Oxfordi dhe kështu, ngadalë, të rrisim cilësinë brenda UP-së.

Mos të keqkuptohem, njohja e një diplome të një universiteti kulmor dhe vlerësimi nuk bëhet vetëm në UP e universitete të dobëta si UP-ja, por çdoku në botë.

Sa isha në master në Universitetin e Salzburugt, në fakultetin e Sociologjisë dhe Shkencave Politike, departamenti i Shkencave Politike na ftoi në një koktej rasti. Kur shkuam, u prezantuam me një profesore që vinte nga Universiteti i Tokios, një universitet jashtëzakonisht i njohur edhe ky për cilësinë e studimeve. Ajo kishte zgjedhur që të kalonte pjesën tjetër të jetës akademike në Evropë dhe universiteti e kishte bindur që të vije e të ligjërojë në Salzburg. Të gjithë ishin të gëzuar, derisa shefi i departamentit të shkencave politike i ngazëllyer fliste për rëndësinë e pamatshme që kishte ardhja e një kuadri të tillë në departament.

Është e vërtetë. Ti nuk ke faj që je përzgjedhur para kandidates tjetër. Faj ka sistemi që i mundëson burrit tënd të ushtrojë ndikimin (dhe ndikimi ushtrohet në mënyra të ndryshme) për t’u pranuar në pozitën e asistentes dhe rrjedhimisht për ta dekurajuar një kandidate nga Oxfordi.

Faj kanë edhe të ashtuquajturit profesorët e komisionit që kanë bërë “vlerësimin”, Tahir Latifi dhe Durim Abdullahu, të cilët, bëjnë një përzgjedhje të tillë ndikuar politikisht dhe gjithashtu nga kompleksi i inferioritetit që buron nga padija e tyre e skajshme.

Përveç se këta do të duhej të largoheshin urgjentisht për këtë proces të turpshëm, dorëheqje t’i kërkohet patjetër edhe vetë dekanit të Fakultetit. /Albanianpost.com

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Drejtori i Arsimit në Deçan takon drejtorët e shkollave – ja çka biseduan

Drejtorët e shkollave në Deçan u pritën sot nga Drejtori i DKA-së, Besnik Hulaj,...

Venimi: Programi “Art, Zeje, Sport” gjatë këtij viti do shtrihet edhe në 100 shkolla

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, njoftoi zgjerimin e programit “Art, Zeje, Sport”...

“Shërbimet psiko-sociale në shkolla, të mbingarkuara”

Arsimi cilësor dhe siguria në shkolla mbetet një nga sfidat më të mëdha për...

Lumnije Kqiku në ‘Top 100 Mjekët’ më të mirë në botë

Lumnije Kqiku MD, DDS, Ph.D. është mjeke dhe ligjëruese në Universitetin e Mjekësisë në...