Dajana Hoxhaj mësuese e gjuhës angleze në Vietnam e cila punon për Maple Bear Canadian Kindergarten, në një rrëfim për gazetën “Dielli” të Vatrës në New York, tregon eksperiencën e saj mësuese anglishteje, përvojën në modeling, përdorimin e “tiktok” për të promovuar Shqipërinë në Azi, kulturën, traditën dhe bukuritë e Vietnamit, gjuhën, trafikun, klimë, ushqimin e mundësitë e pafundme që ofron Vietnami.
DAJANA HOXHAJ EKSPERIENCA SI MËSUESE ANGLISHTEJE NË VIETNAM
Rrugëtimi im në Vietnam dhe si mësuese nisi në Shtator të vitit 2018. Sapo isha diplomuar dhe nëpërmjet një internshipi nga organizata AIESEC, një organizatë për të rinjtë me qëllim që të zhvillojnë potencialin e tyre, unë aplikova për në Vietnam. Arsyeja pse zgjodha Vietnamin ishte sepse doja të dilja nga zona e komfortit, doja të sfidoja veten dhe aftësitë e mia dhe sigurisht një vend si Vietnami, kaq ndryshe nga Shqipëria, sigurisht që do të ishte nje sfidë por edhe një aventure për mua. Dy javët e para ishin pak të veshtira, mendoja se nuk do të mund të qendroja për më shumë se dy muaj. Pas dy javësh, pas trajnimeve të shumta, fillova punën. Që ditën e parë, kur u njoha me nxënësit e mi dhe pashë se sa të dashur e sa energjikë ishin, u ndjeva e lehtësuar. Cfarë më bëri më shumë përshtypje ishte se sa dashuri të sinqertë dhe të pastër më falnin ata. Që prej asaj dite cdo gjë u bë më e thjeshtë. Muajt kalonin dhe unë tashmë isha e bindur se kisha gjetur punën që më bënte të lumtur dhe në Vietnam ndihesha si në shtëpi. Kanë kaluar më shumë se tre vite dhe unë aktualisht ende ndodhem në Vietnam. Jam duke punuar si mësuese për Maple Bear Canadian Kindergarten. Nxënësit e mi janë disa 4 vjeçarë shumë të dashur, të zgjuar dhe tepër të ëmbël. Së bashku me ta mësoj e rritem edhe unë.
EKSPERIENCA E VEÇANTË NË MODELING
Eksperienca ime në modeling nisi rreth 2 vite më parë. Nje shoqja ime Vietnameze punonte për një agjenci modelingu dhe iu tregon fotot e mia. Ata i kërkojnë shoqes kontaktin tim dhe pas disa javësh unë pata punën time të parë në modeling për një markë veshjesh. Që nga ajo kohë kam pasur fatin të jem pjesë e disa aktiviteteve të ndryshme dhe të kem disa eksperienca shumë të bukura.
SI JETOHET NË VIETNAM? KULTURA, USHQIMET, SIGURIA, TË VEÇANTAT E VIETNAMIT
Jetesa në Vietnam është plot gjallëri. Njerzit janë gjithë kohën duke punuar, duke lëvizur dhe si mjet transporti shumica përdorin motorrat. Motorrat janë gjithandej dhe rrugët jane plot me motorra. Popullsia e Vietnamit është rreth 97 milionë banorë dhe motorra të rregjistruar janë diku te 50 milionë. Trafiku është dicka që mua mu deshën disa javë të mësohesha se si të kaloja rrugën pa frikë, ndërsa tani kam dhe unë motorrin tim dhe jam bërë pjesë e trafikut. Njerëzit në Vietnam janë shumë aktivë. Pasditeve dhe darkave parqet janë të mbushura me njerëz (zakonisht të moshuar më shumë), që bëjnë ushtrime fizike, kërcime ose ecje. Madje shumë herët në mëngjes, rreth orës 5, shikon shumë njerëz që janë duke bërë vrapin e mëngjesit. Një ndër arsyet kryesore pse unë e dua Vietnamin, është për shkak të njerëzve. Vietnamezët janë njerëz shumë miqësor, shumë ndihmues, të qeshur dhe të dashur. Nëse ke nevojë për ndihmë, ata gjithmonë të ndihmojnë. Madje në fillim kur nuk gjeja dot adresat, shumica më shoqëronin deri te adresa ku doja të shkoja. Ka shumë e shumë raste kur mirësia e tyre më ka befasuar jashtëzakonisht dhe më ka bërë ta vlerësoj akoma më shumë këtë vend. Ushqimi Vietnamez është një nga faktorët kryesorë që tërheq shumë turista. Gjëja më interesante për ushqimin tradicional Vietnamez është se në një ushqim mund të gjesh të 5 nuancat e shijeve, të ëmblën, të kripurën, të thartën, pikanten dhe të hidhurën, që janë kombinuar me zgjuarsi për të krijuar një shije të këndshme. Mua personalisht më pëlqen shumë ushqimi Vietnamez dhe madje kam mësuar si të gatuaj disa që i preferoj më shumë. Një tjetër e vecantë për ushqimin është cmimi. Ushqimet vendase Vietnameze janë tepër të lira. Me 3-5$ mund të hash një vakt te bollshëm, që përfshin 2-3 gatime të ndryshme. Një arsye kjo, pse shumë njerëz zgjedhin të hanë jashtë shumë shpesh dhe restorantet vendase gëlojnë. Për sa i përket sigurisë, Vietnami është vend relativisht i sigurt me një normë të ulët të krimeve. Krimet e dhunshme janë shumë të rralla por krimet e vogla si vjedhjet ndodhin. Personalisht deri tani nuk kam pasur asnjë problem me sigurinë në Vietnam dhe shpresoj të vazhdojë po kështu. Një e vecantë shumë e rëndësishme për Vietnamin është bukuria natyrore. Peizazhet në Vietnam janë mahnitëse dhe të shumëllojshme. Duke filluar me majën më të lartë të Indokinës në veri, me tarracat e pafundme të orizit, me ujëvarat e mrekullueshme, me mijëra ishuj gëlqeror dhe duke vazhduar me dunat e rërës, me plazhet e bukura, me pyjet tropikale, me qytetet antike e moderne etj. Do të më duhej shumë kohë ti përshkruaja, ka pafund vende të bukura që me të vërtetë ia vlen të vizitohen dhe cmimet janë tepër të arsyeshme.
SHQIPTARËT NË VIETNAM…PUNA, KULTURA, TRADITA
Fatmirësisht nuk jam shqiptarja e vetme në Vietnam. Kam njohur dhe kam disa miq shumë te mirë Shqiptarë. Ne kemi një grup në facebook me Shqiptarët në Vietnam që ka 34 anëtarë. Besoj se ka edhe më shumë Shqiptarë të tjerë këtu, që nuk janë pjesë e grupit. Për sa i përket tregut të punës, Vietnami ofron shumë mundësi. Në Vietnam jetojnë dhe punojnë rreth 100.000 të huaj. Komuniteti i të huajve është goxha i madh dhe i larmishëm, po ashtu dhe mundësitë e punësimit. Shqiptarët e tjerë që kam njohur kanë pasur pak a shumë të njëjtat vështirësi si unë në fillim si: gjuha, trafiku, klima, ushqimi, por me kalimin e kohës jemi përshtatur, kush më shumë e kush më pak. Mendoj se jetesa këtu është e thjeshtë nëse vjen me idenë që je në një vend të huaj me njerëz me kulturë dhe zakone që duhen respektuar dhe pse janë të ndryshme nga ç’ka ti je mësuar. Normalisht që ka shumë gjëra që nuk i pëlqejmë apo ende nuk jemi mësuar, po që duhet të përshtatemi me atë që na ofrohet, sepse ato gjëra nuk kanë për të ndryshuar për faktin se nuk i pëlqejmë. Optimizmi, humori dhe toleranca na ndihmojnë të kalojmë situatat e sikletshme apo vështirësitë që kemi hasur.
SITUATA E COVID NË VIETNAM
Situata e COVID ka qenë një situatë e stresueshme, sidomos në Maj të vitit 2021, kur rastet në Vietnam u rritën, cdo gjë u mbyll dhe shkollat u kthyen online. Fatmirësisht situata tani është shumë herë më mirë, pothuajse cdo gjë është kthyer në normalitet dhe së fundmi kufijtë për turistet, të cilët kanë qenë të mbyllur që nga Marsi i 2020, janë hapur.
TIKTOK SI MUNDËSI PËR TË PROMOVUAR SHQIPËRINË
Unë kam një kanal në TikTok me më shumë se 500.000 ndjekës. Zakonisht videot e mia janë për jetën time në Vietnam dhe eksperiencat e mia këtu. Shumica e ndjekësve të mi, diku te 90% janë Vietnamezë, të cilët janë kuriozë të dinë më shumë për mua, vendin tim etj. Shumica e njerëzve në Vietnam nuk kanë dëgjuar për Shqipërine, disa e njohin si emër, por kam njohur dhe njerëz që e kanë vizituar Shqipërine ose dinin për të më shumë nga cka unë prisja. Ndjekësit e mi tashmë e njohin Shqiperine prej meje, madje disa prej tyre ndonjëherë komentojnë në Shqip. Edhe pse e di që janë duke përdorur google translate, më vjen mirë kur shikoj që njerëzit e tjerë interesohen për vendin dhe gjuhën time prej meje. Shpresoj që në të ardhmen të kem më shumë audiencë dhe mundësi për të promovuar Shqipërinë.
KUSH ËSHTË DAJANA HOXHAJ?
Dajana Hoxhaj është një mësuese dhe vajzë energjike, optimiste, miqësore dhe tepër e duruar. Ka studiuar për degën Informatikë Ekonomike te Universiteti Epoka. Ka qenë presidente e klubit studentor me qëllim ndihmesën e fëmijëve jetim, familjeve në nevojë etj. dhe organizimin e fushatave të bamirësisë. Dajana ka kryer internship në ministrinë e Ekonomisë. Dajana ka përfunduar trajnimin e TEFL (Teaching English as a Foreign Language) dhe është certifikuar. Dajana ka më shumë se 3 vite që punon si mësuese. Aktualisht është duke punuar si mësuese për Maple Bear Canadian Kindergarten.