ÇKA PO NDODH? Në programin e Fizikës për 80 studentë, kanë aplikuar vetëm 4 kandidatë

- Advertisement -

Në konkursin për studentë të rinj në Universitetin e Prishtinës, për 5 mijë e 723 vende, kanë kandiduar vetëm 3 mijë e 398 të rinj.

- paragrafi 1 -

Prorektorja për Zhvillim Institucional, Cilësi dhe Çështje Studentore në Universitetin e Prishtinës, Majlida Gjelaj, në një intervistë për Radio Kosovën, tha se për këtë rënie të interesimit do të bëhen analiza për të parë se cilat janë nevojat për ndryshime dhe përshtatje të programeve me nevojat e tregut të punës.

- Advertisement -

Radio Kosova: Prorektore, në Universitetin e Prishtinës po zhvillohet provimi pranues për kandidatët për studentë. A ka pasur interesim nga ana e të rinjve dhe sa është numri i konkurrentëve që kanë aplikuar për vendet që keni kërkuar?

Majlinda Gjelaj: Po vazhdojnë provimet pranuese në 14 njësitë akademike të UP-së. Interesimi është i ngjashëm me vitin e kaluar, ndërkaq në krahasim me vitet paraprake ka një rënie. Kemi bërë disa analiza dhe vërehet rënie e trendit në disa programe, ndërsa rritje të interesimit në programe të tjera për shkak të ndryshimeve shoqërore, teknike e teknologjike. Interesimi i të rinjve sot ka marrë hov nga ana e shkencave teknike – teknologjike, po ashtu edhe ato mjekësore. Kemi rënie në profesione të tjera më klasike, në krahasim me të kaluarën, siç ka qenë interesim i madh në Ekonomik, Juridik ose Edukim, ku ka pasur të interesuar me numër enorm të kandidatëve. Trendi i rënies është i ngjashëm me trendet e tjera në Evropë dhe në botë, ku rënia është sfiduese.

Radio Kosova: Sa është numri i kandidatëve që kanë konkurruar për vitin e ri akademik 2025/26?

- Advertisement -

Majlinda Gjelaj: Ne kemi hapur konkurs për të dyja nivelet në të njëjtën kohë, bachellor dhe master. Kemi planifikuar të regjistrojmë 5 mijë e 723 studentë në nivelin bachellor dhe kanë konkurruar 3 mijë e 398 kandidatë. Pra, ekziston një dallim në mes atyre programeve ku kërkesa është më e madhe sesa mundësia për të studiuar, ndërkaq ka programe ku oferta është më e madhe në raport me kërkesën e studentëve. Këto të dhëna do të analizohen dhe do të shohim se cilat janë nevojat për ndryshime dhe përshtatje të programeve me nevojat e tregut të punës, por edhe me interesimin për zhvillim në karrierë të të rinjve sot. Ekzistojnë faktorë që mund të lidhen me kontekstin tonë kosovar, por edhe me dinamikën e zhvillimeve në botë. Në përgjithësi në botë, ka rënie të interesimit për studime universitare. Të rinjtë janë me tepër të interesuar për profesione, të cilat kualifikohen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo katër vjet apo pesë vjet, por të dalin në tregun e punës sa më shpejt. Rrjedhimisht profesionet më praktike dhe më të shpejta janë më të kërkuara. Ekzistojnë edhe oferta të shumta me diversitet të jashtëzakonshëm dhe mundësi të tjera, që në të kaluarën nuk i kanë pasur. Tani i kemi kufijtë e hapur, mundësi të mira për të studiuar edhe jashtë vendit dhe kanë mundësi të aplikojnë në shumë universitete nëpër botë. Ka programe të cilat mund të kenë rënie dhe kjo rënie vërehet që është si pasojë e faktorëve më të gjerë global e gjeopolitik.

Radio Kosova: A ekziston rreziku që për vitin e ri akademik mund të ketë programe që do të mbeten vetëm me një studentë apo edhe pa asnjë, pasi do të shikohet edhe kriteri i pranimit?

Majlinda Gjelaj: Mund të ndodhë edhe kjo, por nuk besoj që të mbesin programet pa asnjë student. Në bazë të shifrave që i kemi, vërehet se në çdo program ka aplikantë. Edhe ashtu kemi reformuar çështjen e grupeve. Mund të jetë edhe rasti kur kemi shumë pak studentë, si për shembull Fakulteti i Arteve, natyrën e programeve e ka të tillë.

Radio Kosova: Ka pasur programe në Fakultetin Filologjik që kanë qenë pothuajse të rrezikuara si Gjuha dhe Letërsia Shqipe. Si qëndron sivjet interesimi, ka rënie prapë?

Majlinda Gjelaj: Jo. Në këtë vit ende nuk është thënë që do të marrin bursa. Kemi mbi 60 kandidatë të interesuar për të studiuar Gjuhën Shqipe dhe më pak në Letërsinë Shqipe, ndërsa një numër më i madh janë të interesuar të studiojnë Gjuhën Angleze, e po ashtu edhe atë Gjermane. Njëjtë është edhe me profesionin e mësuesisë, ku sipas një analize, faktorët që kanë ndikuar në rënien e interesimit për t’u bërë mësimdhënës, janë: Ligji i Pagave, ndryshimi i statusit të vet profesionit të mësimdhënësit në shoqëri, pra perceptimi i të rinjve për mësimdhënien është krejt ndryshe në raport me të kaluarën dhe po ashtu edhe ndryshimi i dëshirave dhe aspiratave të të rinjve për një jetë më të mirë, me pagesa më të larta, është evident.

Radio Kosova: Në bazë të analizave që do të bëni, a do të thotë kjo se mund të ulni numrin e studentëve për t’u pranuar për vitin e ardhshëm akademik?

Majlinda Gjelaj: Numrin e studentëve nuk e përcakton Universiteti i Prishtinës, por Agjencia për Akreditim, që vlerëson programet dhe nevojat e tregut të punës. Mendoj se thjesht duhet të mendojmë për programe, të cilat janë më atraktive në raport me nevojat e tregut të punës dhe interesimin e të rinjve për të studiuar.

Në degën e Fizikës, për 80 studentë kanë aplikuar vetëm 4 kandidatë, në Kimi, për 60 studentë kanë aplikuar vetëm 3 kandidatë, në Biologji, për 45 studentë, kanë aplikuar vetëm 4 kandidatë. Këto programe mund  të plotësohen edhe në afatin e dytë.

Ndërkohë, programet më të kërkuara për të studiuar janë Inxhinieria Kompjuterike dhe Mjekësia.

Në Inxhinieri Kompjuterike kanë aplikuar 500 kandidatë për 250 vende, ndërsa në Mjekësi për 200 vende kanë aplikuar 1 mijë kandidatë për studentë.