Pas ankesave të shumta që ka pranuar Avokati i Popullit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të marrë vendimin.
Avokati i Popullit kishte pranuar 104 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik në lidhje me këtë ligj prandaj e dërgoi të premten në Kushtetuese, me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ankesat e pranuara u tha se kishin të bënin kryesisht me uljen e koeficienteve, rrjedhimisht me zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj.
Por çka ndodh nëse ky ligj rrëzohet?
Nëse Ligji i Pagave rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese, pritet që për sektorin publik të kthehet në fuqi ligji i vjetër i pagave.
Me Ligjin për paga, vlera e koeficientit të pagës në sektorin publik është caktuar të jetë 105 euro, gjë që ngjalli reagime të shumta, pavarësisht pretendimeve të zyrtarëve qeveritarë se pati rritje.
Më 5 shkurt 2023, pas një procesi, i cili, sipas Avokatit të Popullit, nuk ka qenë një proces transparent, i përgjegjshëm dhe as demokratik, Ligji për paga ka hyrë në fuqi.