Nëse keni filluar të mendoni që të mbeteni shtatzënë ose tashmë jeni duke provuar, është e zakonshme që keni disa pyetje për të cilat kërkoni përgjigje para se të mbeteni shtatzënë.
Nëse femra dëshiron të mbetet shtatzënë kur duhet t’i lë barnat kontraceptive?
Që në ditët e para pas ndërprerjes së barnave kontraceptive ndodh zhdukja e tyre nga organizmi dhe është e sigurt që menjëherë do të mbeteni shtatzënë. Te disa femra ndodh që pas ndërprerjes së këtyre barnave, në ciklin e parë apo të dytin nuk kanë ovulim të rregullt dhe për këtë arsye, disa gjinekologë rekomandojnë metoda tjera kontraceptive gjatë dy cikleve të para menstruale, me qëllim që të vendoset cikli normal para shtatzënisë.
Kur është pozitiv testi i shtatzënisë?
Shumica e testeve të shtatzënisë për përdorim në shtëpi, mund të tregojnë për shtatzëninë tuaj menjëherë pas menstruacioneve. Thuajse të gjithë këto teste janë të besueshëm dhe mund ta tregojnë shtatzëninë që në ditën e 12-të apo 14-të, transmeton Telegrafi.
Cilat vitamina duhet të merren gjatë shtatzënisë?
Vitamina të shumta janë në treg, të cilat mund të gëlltiten ose të përtypen. Disa prej tyre përmbajnë substanca të cilat zbutin jashtëqitjen. Shumica prej tyre merren njëherë në ditë. Është shumë me rëndësi që gjatë shtatzënisë të mos keni mungesë vitaminash. Megjithatë para se të vendosni se cilat vitamina t’i merrni duhet të këshilloheni me mjeku tuaj. Mungesa e vitaminave mund të plotësohet edhe me ushqimin e rregullt dhe të duhur.
Pse është i nevojshëm acidi folik gjatë shtatzënisë?
Sipas hulumtimeve shkencore marrja e 400 mg acidi folik në ditë, pengon dëmtimin e sistemit nervor të fetusit. Studimet, po ashtu kanë treguar se acidi folik pengon mundësinë e abortit spontan, shtatzëninë jashtë mitre dhe disa çrregullime të tjera.
A është i nevojshëm hekuri gjatë shtatzënisë?
Femrat anemike, te të cilat anemia vjen si pasojë e mungesës së hekurit, duhet të marrin preparate të hekurit. Edhe pse thuhet se sasia më e madhe e hemoglobinës zvogëlon nevojën për transfuzion të gjakut pas lindjes, megjithatë preparatet e hekurit nuk duhet të merren pa rekomandimet e mjekut.
Kur është femra tepër e moshuar për lindje?
Edhe pse studimet tregojnë se femrat në dekadën e katërt të moshës së tyre janë më të përgatitura financiarisht, psikikisht dhe në aspekt shoqëror për t’u bërë nënë, megjithatë me kalimin e moshës mundësia për të mbetur shtatzënë zvogëlohet. Shtatzënia pas moshës 35-vjeçare arrihet shumë më vështirë për shkak të ovulacionit të pasigurt, mirëpo pasi të ndodh shtatzënia gjithçka shkon mirë. Femrat më të moshuara kanë komplikime më të shpeshta, siç është shtypja e lartë e gjakut, sëmundja e sheqerit e lidhur me shtatzëninë, rrezik më të lartë për abort, si edhe përqindje më të lartë që lindja të ndodhë me prerje cezariane. Po ashtu te femrat me moshë më të madhe rreziku që fëmija të zhvillojë ndonjë çrregullim (p.sh. sindromën e Downit) është shumë i lartë.
Cilat vaksina duhet të merren para shtatzënisë?
Gjatë shtatzënisë mund të merren vaksinat kundër tetanusit, gripit, pneumokokut, po ashtu mund të merret edhe imunoglobulina specifike kundër varivelës, hepatit A dhe B, tetanusit dhe rabiesit. Në rast të udhëtimit, duhet të merren vaksina kundër etheve të verdha, tifos dhe hepatitit B. Të gjitha vaksinat tjera duhet të merren para shtatzënisë. Shtatzënia nuk rekomandohet në tre muajt e parë pas vaksinimit kundër rubeolës.
Sa është shpeshtësia e çrregullimeve te i porsalinduri?
Llogaritet se 2-3% e foshnjave lindin me anomali që dallohen. Deri në moshën pesëvjeçare vërehen edhe disa defekte tjera, kështu që përqindja e përgjithshme që fëmija të lind me anomali rritet në 4-4.5%. Shumë nga këto çrregullime janë të trashëguara, ndërsa disa të tjera vijnë si pasojë e ndikimeve të dëmshme të ambientit rrethues në periudhën e caktuar të rritjes dhe zhvillimit të fetusit. Disa faktorë të dëmshëm janë të njohur mirë, dhe dihen anomalitë përkatëse që i shkaktojnë. Faktorët tjerë, siç janë disa barna, kafeina, kontraceptivët oralë, marihuana, spermicidët vaginalë, rrezatimi elektromagnetik etj., edhe më tutje vazhdojnë të konsiderohen si faktorë rreziku.
Pse femrat duhet ta lënë duhanin në shtazani?
Është treguar se pirja e duhanit gjatë shtatzënisë shkakton zvogëlimin e peshës së lindjes të fëmijës. Afër 5% e vdekjeve të foshnjave para lindjes, gjatë lindjes dhe pas lindjes, lidhen me duhanpirjen e nënave. Ndërkohë që është shqetësues fakti se vetëm 25% e femrave duhanpirëse e lënë duhanin porsa kuptojnë se janë shtatzëna.