Rreth 80 nxënës të dy klasave të treta të shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë të enjten dëgjuan një ligjëratë edukative të mbajtur nga përfaqësues të kinemasë Cineplexx, me qëllim të njohjes më të afërt me botën e filmit dhe rëndësinë e përzgjedhjes së përmbajtjeve të përshtatshme për fëmijë.
Ligjërata u mbajt në shkollën “Dardania”, ku përfaqësuesja e Cineplexx para nxënësve foli për filmat e dedikuar për fëmijë, rëndësinë e mesazheve edukative që përcjellin këto filma dhe mënyrën se si kinemaja mund të shërbejë si mjet argëtues dhe arsimor njëkohësisht.
Në përfundim të ligjëratës, u organizua një kuiz interaktiv, përmes të cilit nxënësit patën mundësinë të testojnë njohuritë e tyre mbi filmat e prezantuar.


Pesë prej nxënësve që u përgjigjën saktë në pyetjet e parashtruara u shpërblyen me bileta falas për të ndjekur filma në Cineplexx Prishtina.

Kjo nismë është pjesë e angazhimit të Cineplexx për të kontribuar në edukimin kulturor të fëmijëve dhe për të afruar artin kinematografik me brezat e rinj.
Cineplexx ligjerata të tilla ka mbajtur në disa shkolla të Prishtinës dhe do të vazhdojë edhe në shkolla të tjera në kryeqytet dhe poashtu në qytetin e Prizrenit.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara
*Fotografimi dhe incizimi i videove të nxënësve është lejuar nga Drejtoria e shkollës, në pajtim me marrëveshjen e arritur me prindërit.