Në Kosovë, në një kohë kur është rritur kërkesa për mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta, prindërit gjithnjë e më shumë kërkojnë profesionistë të kualifikuar që mund t’i asistojnë ata.
Në treg doli një institucion privat që premton zgjidhje të shpejtë, kualifikime moderne dhe diploma të njohura “ndërkombëtarisht” për asistentët e nivelit 5.
Qendra Profesionale për Gjithëpërfshirje, QPGJ – një emër ky që po shfaqet gjithnjë e më shpesh në reklama, në rrjetet sociale dhe madje edhe në evente ku marrin pjesë figura të larta të Ministrisë së Arsimit.
Institucion privat, me përkrahje maksimale publikisht nga vetë ministrja e arsimit Arbërie Nagavci. Por, dokumentet e shtetit tregojnë se këtë institucion Kosova nuk e njeh.
Kualifikimet e tij nuk janë të akredituara, e megjithatë qendra vazhdon të certifikojë kandidatë në një nga profesionet më të ndjeshme: Asistent për fëmijë me nevoja të veçanta.
Kush po e lejon këtë dhe çfarë po u ndodh kandidatëve që diplomojnë këtu?
Për t’i marrë përgjigjet, Kiks Kosova ka intervistuar dy themeluesit e QPGJ-së, psikologët Erblir Kadriu dhe Natyra Agani, të cilët pranuan gjitha pyetjet në hapësirat e Klan Kosovës.
Ata treguan se QPGJ funksionon nga viti 2023, dhe se trajnimi zhvillohet në ambientet e një shkolle private në kryeqytet.
Programi i tyre kryesor është Nivel 5 – Asistent për fëmijë me nevoja të veçanta, të cilin e prezantojnë si “program ndërkombëtar”, i akredituar nga OCN London.
Themeluesit sqaruan se programi i tyre nuk është ai i Pearson/BTEC, pasi ky program ofrohet vetëm në Qendrën e Kompetencës në Ferizaj. Ata theksojnë se programi i tyre është nga OCN London, të cilin e quajnë të barasvlershëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Por kur ekipi i Kiksit pyeti për njohjen në Kosovë, ata deklaruan se nuk kanë nevojë për akreditim nga AKK, sepse sipas tyre akreditimi ndërkombëtar është i mjaftueshëm.
Por ligji i Kosovës thotë të kundërtën. Çdo institucion që ofron kualifikime profesionale në Kosovë, duhet të akreditohet nga AKK dhe të licencohet nga MASHTI.
QPGJ e ka kërkuar akreditimin në vitin 2023, por AKK e refuzoi për mospërmbushje të kritereve.
Edhe pse Ministria nuk e njeh kualifikimin, në rrjetet sociale shihen ministrja Arbërie Nagavci dhe zëvendësministri Taulant Kelmendi duke marrë pjesë në evente ku promovohet QPGJ-ja.
Kiks Kosova, drejtoi pyetje nëse kjo përkrahje e ministres Arbërie Nagavci, ka qëllime personale, pasi motra e kësaj të fundit është mësimdhënëse aty.
Detajet i gjeni në kronikën e mëposhtme të përgatitur nga Kiks Kosova:
Shkrimi është marrë nga Klan Kosova