Duket se gjithë suksesi i një shkolle varet nga bashkëpunimi i mirë që duhet të kenë mësuesit me prindërit dhe anasjelltas.
Por çfarë do ta bënte këtë bashkëpunim të realizueshëm? Gjatë një studimi të dyja palët kanë shpalosur këshillat për rastin. Nga Esmeralda Ismailaj Kajo.
Esmeralda Ismailaj Kajo, mësuese e ciklit fillor, shkolla “Irfan Ngjeqari”, Berat, sjell nëpërmjet këtij artikulli rekomandimet ose këshillat që kanë dhënë mësuesit dhe prindërit për të pasur një bashkëpunim sa më të mirë dhe funksional mes tyre, në dobi të institucionin arsimor dhe veçanërisht të nxënësve.
Sipas prindërve shkaqet kryesore që pengojnë bashkëpunimin e tyre me institucionin arsimor, ose me mësuesit janë:
• Ngarkesa e prindërve me aktivitete, punë dhe angazhime të tjera, problemet e tyre ekonomike dhe sociale (qe përbëjnë arsyen e përmendur më shpesh nga ana e tyre).
• Indiferenca e tyre në kontrollin e fëmijës.
• Indiferenca dhe moskomunikimi me mësuesit dhe drejtuesit e shkollës.
• Organizimi i një numri të pakët mbledhjesh me prindër si dhe bërja e tyre jo në kohën e duhur.
• Mungesa e motivimit dhe kualifikimit të mësuesve.
• Mos informimi për atë që ndodh në shkollë.
• Anashkalimi i rolit të prindërve për atë që ndodh në shkollë dhe në partneritetin mes tyre dhe mësuesve.
• Niveli arsimor dhe kulturor i prindërve.
• Rezultatet e dobëta të fëmijës.
• Ngarkesa e mësuesve.
Ajo çka këshillojnë prindërit lidhur me përmirësimin e takimeve që organizohen në shkollë është:
• Takimet me prindër të zhvillohen më shpesh dhe me tematika të caktuara sipas nevojës, dhe jo thjesht për raportim për notat e nxënësve.
• Takimet, kurdo që të jetë e mundur të ndiqen nga përfaqësues të organeve arsimore, si për të ushtruar kontroll mbi këtë aspekt të punës së mësuesve dhe shkollave, po ashtu dhe për t’u njohur me kërkesat e prindërve.
• Takimet të bëhen të planifikuara që në fillim të vitit shkollor dhe të njoftohen në kohën e duhur.
• Mësuesit dhe shkolla duhet të përgatiten më mirë për këto takime dhe të krijojnë një atmosferë ku prindërit ta ndjejnë veten të lirshëm për të shprehur mendimet dhe pakënaqësitë e tyre.
• Te bëhen takime me praninë e bordit të shkollës dhe qeverisë së nxënësve.
• Prindërit të marrin pjesë në mbledhjet tematike të drejtorisë së shkollës.
• Takimet të mos bëhen vetëm në raste emergjence apo problemesh, por edhe për aktivitete të përbashkëta si ditëlindje, piknikë, ekskursione, shikim filmi, teatri, apo aktivitetesh sportive. Duhet të organizohen më shumë takime sensibilizuese për problemet e shkollës, që prindërit të qëndrojnë më pranë dhe të ndikojnë pozitivisht në zgjidhjen e tyre.
Çfarë propozohet për të rritur bashkëpunimin?
Pikat që propozojnë mësuesit janë:
• Trajnime për prindër për rolin e prindit si edukues, trajnime për mësues si dhe trajnime të përbashkëta për të dy palët.
• Literaturë për këto probleme si për mësuesit edhe për prindërit.
• Rekomandim modelesh dhe përvojash të mira të punës me prindërit.
• Marrje të nismave nga vetë prindërit, pa pritur nga shkolla.
• Bashkëpunim me psikologët dhe punonjësit socialë të shkollave.
• Shkëmbim përvojë mes këshillave të prindërve.
• Njohjen e prindërve me planin edukativ të shkollës që ata të përfshihen në zbatimin e tij.
• Motivim i mësuesve që bashkëpunojnë me sukses me prindërit.
• Përfshirja e prindërve në hartimin e planeve dhe strategjive të shkollave.
• Shkolla t’i bëje prindërit të ndjehen të mirëseardhur dhe të respektuar.
• Hartimi i politikave të tilla që lejojnë një pjesëmarrje më të madhe të prindërve për të siguruar partneritet.
• Të sensibilizohen prindërit dhe opinioni publik nëpërmjet ciklesh emisionesh radio dhe televizive.
• Hartimi i një marrëveshjeje për bashkëpunim.
• Krijimi i organizatave trajnuese për problemet e bashkëpunimit shkollë-familje.
Mësuesit kanë dhënë disa ide, ndonëse jo dhe aq konkrete, edhe përsa u takon trajnimeve që u nevojiten për aftësimin e tyre për bashkëpunimin me prindërit dhe komunitetin:
• Trajnime se si të punohet me prindërit që kanë fëmijë me probleme me drogën, alkoolin, duhanin, etj.
• Trajnime në fushën e psikologjisë.
• Trajnim për aftësi komunikimi.
• Shkëmbim përvoje me shkollat e tjera dhe përvojat perëndimore.
• Trajnim për psikologjinë e fëmijës dhe marrëdhëniet e tij me prindërit.
• Marrëdhëniet ndërpersonale.
Nga Esmeralda Ismailaj Kajo
Mësuese e ciklit fillor, shkolla “Irfan Ngjeqari”, Berat
© Portali Shkollor-