Fontanela quhet ndryshe “i buti i kokës” ose “ujthi” i të porsalindurve. Natyra e ka krijuar kokën e fëmijës të hapur në majë, me qëllim që kockat e saj të modifikohen gjatë aktit të lindjes, duke mbrojtur kështu trurin.
Kockat e tyre të kafkës, janë të lidhura me inde fibroze të quajtura sutura. Këto sutura janë në formë dhëmbëzash që futen tek njera tjetra.
Nëse fontanela është më e madhe se 5-6 cm duhet të bëjmë vlerësimin e fëmijës për të përjashtuar një anomali të lindur që quhet Hidrocefalia kongenitale, e cila shkaktohen nga bllokimi i qarkullimit të lëngut cerebro-spinal.
Shpesh nënat pyesin, çfarë është kjo gjë kaq e butë këtu? Pse?
Kjo hapësirë ndikon në zhvillimin dhe rritjen e kafkës dhe të perimetrit të kokës me anë të të cilit vlerësojmë zhvillimin e sistemit nervor qendror.
Perimetri i kokës rritet gjatë tremujorit të parë të jetës mesatarisht 2 cm në muaj.
Gjatë tremujorit të dytë rritet 1 cm në muaj dhe gjatë gjashtëmujorit të dytë rritet totalisht 3 cm. Gjatë vitit të dytë rritja është prej rreth 2.5 cm. Pra është e rëndësishme që fontanela të mos mbyllet para kohe, pasi pengon rritjen e trurit brenda kafkës.
Përmasat në lindje janë afërsisht 3cm x 4cm.
Në bazë të madhësisë vlerësohet dobësia e kockave ( rakiti).
Një fontanelë e zmadhuar është tregues i deficitit të vitaminës D.
Nëse prindi shqetësohet për djersitjen e tepërt të fëmijës, ose kur fëmija nuk ngrihet në këmbë si moshatarët e tij dhe fontanela qëndron e hapur duhet të këshillohet me pediatrin .
Ajo mbyllet në moshën 12-18 muajsh.
Në 10 vitet e fundit ka gjetur aplikim të gjerë Echo trans- fontanele.
Ekzaminimi me ultratinguj nëpërmjet fontanelës ndihmon mjekun për të ekzaminuar pathologji të tilla si hemoragjitë intrakraniale , cerebrale, hidrocefalinë kongenitale disa anomali të lindura të trurit etj.
Përkujdesja ndaj fontanelës lidhet edhe me një ushqyerje të balancuar me proteina, vitamina dhe kripëra minerale. Këto të fundit ndikojnë në mbylljen në kohën e duhur të fontanelës.