Buzëqeshja e bebes ngjall ngrohtësi në zemrën e të gjithëve.
Ju duhet ta keni parë beben duke fjetur shumë herë.
Bebja qesh! Ai moment i mrekullueshëm në të cilin qesh krijesa juaj e lezetshme mund të fshijë të gjitha netët pa gjumë dhe stresin që keni përjetuar pas lindjes.
Buzëqeshja e bebes ngjall ngrohtësi në zemrën e prindërve, atë ndjenjën e dashurisë së pamasë që vetëm mamaja ose babai mund ta ndiejnë.
Dhe kur fillojnë të qeshin bebet? Bebet fillojnë të qeshin shumë herët, që në barkun e nënës.
Buzëqeshja e një foshnje të porsalindur është aq e veçantë sa shpesh njihet edhe si “buzëqeshja engjëllorë”. Për shumë prindër, ky është momenti që kompenson gjithë lodhjen dhe orët pa gjumë, por pse dhe si ndodh? A po ëndërron fëmija? A po rikujton kohën në barkun e nënës?
Bebet buzëqeshin edhe para se të lindin
Nëse keni pasur fatin të shihni beben tuaj duke buzëqeshur në ultratinguj, mos mendoni se po imagjinonit gjëra të pavërteta. Një studim që vëzhgoi mbi 500 gra shtatzëna me ultratinguj 4D, zbuloi se deri në 31 fetuse ishin duke buzëqeshur për një kohë mesatare prej 3.21 sekondash secila.
Në këtë mënyrë, shkencëtarët përcaktuan se buzëqeshjet spontane ndodhin edhe kur foshnjat janë ende në bark, shumë kohë para lindjes së tyre. Rreth javës së 26 të shtatzënisë, foshnjat mund të buzëqeshin dhe madje edhe të qajnë brenda mitrës.
Buzëqeshjet e para janë të pavullnetshme
Siç e përmendëm më herët, këto veprime të kryera nga foshnja në mitër konsiderohen si veprime “refleksive”. Kjo do të thotë se ato janë një përgjigje e menjëhershme ndaj një stimuli, i cili në rastin e foshnjave është zakonisht një ndjenjë e mirëqenies së brendshme.
Ndryshe nga shumë prej nesh, ka shumë të ngjarë që foshnjat në të vërtetë nuk janë të vetëdijshme se janë duke buzëqeshur, kështu që ne po flasim për një lëvizje të pavullnetshme të muskujve të tyre, si në rastet kur thithin gishtin e madh.
Koha e duhur për të buzëqeshur
Kur fle, një i porsalindur normalisht kalon në 2 faza të gjumit: gjumë aktiv dhe gjumë të thellë. Faza aktive, e njohur edhe si REM, e cila është një akronim për “Rapid Eye Movement” (lëvizja e shpejtë s syve), mendohet se prodhohet nga aktiviteti intensiv i trurit.
Kjo ndodh afërsisht 60-90 minuta pasi t’ju ketë zënë gjumi. Gjatë kësaj faze, ka më shumë gjasa që t’i shohim foshnjat duke buzëqeshur apo duke bërë veprime të tjera të pavullnetshme.
Buzëqeshja si reagim/përgjigje
Meqë nuk mund të flasin, të qeshurit dhe të qarat janë mjetet kryesore të komunikimit të bebeve. Kjo është arsyeja pse buzëqeshjet e tyre mund të jenë gjithashtu një përgjigje ndaj ndjenjave pozitive ose ndjesive qetësuese të tilla si një përkëdhelje në faqe apo një ninullë.
Të porsalindurit nuk ëndërrojnë, por ata kanë kujtesë
Ndërsa shihni një foshnjë që buzëqesh teksa fle, mund të mendoni edhe se ajo po sheh ndonjë ëndërr, por kjo nuk ka shumë gjasa të ndodhë. Një foshnjë e porsalindur nuk ka ende përvoja të mjaftueshme për të kujtuar apo aftësi për të imagjinuar.
Fjetja në javët e para të jetës ka disa funksione shumë specifike të cilat përfshijnë ndihmën e foshnjave për të zhvilluar trurin e tyre, për të përpunuar informacionin dhe për të konsoliduar kujtesën, e cila fillon të marrë formë në barkun e nënës. Kjo e fundit, në fakt, mund të vërtetohet duke vëzhguar se si foshnjat mund të njohin zërin e nënës ose babait të tyre vetëm disa orë pasi kanë lindur.