Ministria e Arsimit dhe Shkencës organizoi tryezën e dytë të diskutimit në kuadër të procesit të hartimit të Strategjisë së Arsimit të Kosovës 2035 +, kësaj radhe me drejtorë komunalë të arsimit.
Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, gjatë takimit theksoi se Strategjia e Arsimit 2035+ do të jetë dokumenti kryesor që do të përcaktojë zhvillimin e arsimit në dekadën e ardhshme.
Çeku ftoi drejtorët të jenë pjesëmarrës aktivë në hartimin e Strategjisë së re, e cila do të jetë një dokument konkret, i zbatueshëm dhe i orientuar drejt rezultateve.
Ai theksoi se komunat dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë rol kyç në hartimin dhe zbatimin e politikave të reja, ndërsa bashkëpunimi ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal është thelbësor për rritjen e cilësisë në arsim.
Gjatë takimit, ministri prezantoi katër shtyllat kryesore të Strategjisë: Edukimi dhe parandalimi i hershëm, përmirësimi i arsimit parauniversitar përmes zhvillimit të shkollës gjithëditore, fuqizimi i arsimit dhe aftësimit profesional në funksion të tregut të punës, dhe ristrukturimin e arsimit të lartë. Ndërkaq Koordinatori i procesit të hartimit të Strategjisë së re, Taulant Hoxha, prezantoi kornizën metodologjike, strukturën menaxhuese dhe afatet kryesore të procesit.
Në emër të Kolegjiumit të Drejtorëve Komunalë të Arsimit, drejtori i DKA-së në Drenas, Muhamet Gjoka, falënderoi ministrinë për ftesën qysh në fazën fillestare të procesit, si dhe theksoi se Drejtoritë Komunale të Arsimit janë të gatshme të kontribuojnë me ide dhe propozime konkrete në procesin e hartimit të Strategjisë. Gjatë takimit u diskutuan edhe çështje konkrete të fushës së arsimit, me theks te rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe lokal.
Ky takim është i dyti në radhën e tryezave të diskutimit në kuadër të procesit të përgatitjeve të hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+, me synimin që dokumenti final të reflektojë nevojat reale të sistemit arsimor dhe të ndërtohet mbi kontributin e të gjithë akterëve relevantë.