Mësuesi i kësaj epoke duhet ta sfidojë teknologjinë informative, telefonin celular, llaptopin, tabletin, kompjuterin etj, në mënyrë që të duket më atraktiv para nxënësit, aq sa këtij të fundit të mos i shkëputet vëmendja nga mësimi, gjatë kohës sa zhvillohet ai në klasë – thonë me shaka disa mësues.
Ky profesion fisnik, prandaj, përball ka sfida të shumta, e një ndër to lidhet edhe me teknologjinë informative.
Të jesh atraktiv në epokën e teknologjisë, epokën virtuale… të jesh mësues!
Nëse vendosni të kërkoni në Google për ‘Cool teachers’, makina kërkuese do t’ua sugjerojë një mori artikujsh ku shihen mësues të veshur në një mënyrë të pazakontë. Bien në sy maskat me superheronjë, ndonjë shpatë e plastikës në dorën e ndonjërit, një qenë pranë një tjetri etj. Sipas blogerëve, këta kanë zgjedhur një mënyrë unike për ta kapur vëmendjen e nxënësve. Kjo është e rëndësishme. Stimulimi dhe nxjerrja e më të mirës nga ana e nxënësit dhe parapërgatitja e tij për sfidat që e presin në jetë, është një ndër detyrat e përcaktuara edhe me dokumentet zyrtare të miratuara institucionet relevante në vend.
Mirëpo, “…ndonëse është vështirë të shfaqesh më atraktiv se iphone ose samsung” – sipas mësuesve, “…ti detyrohesh të gjesh një mënyrë, për ta sfiduar teknologjinë, të paktën përgjatë orëve të klasës!” – thonë ata. Pra, sipas tyre klasa më nuk është një vend atraktiv. Për rrjedhojë, në shumë shkolla, për çdo vit shkollor, shpërfaqet dukuria e mungesave të nxënësve në klasë.
Një shembull i mirë është një garë e shpikur në shkollën “Gëzim Hamza – Piktori” në Rahovec. Ishte ideja e mësimdhënësit Valmir Gashi, i cili me qëllim për që ta ulte numrin e mungesave të nxënësve e shpalli këtë garë, e cila e shpërblen klasën me më së paku mungesa, me gara sportive dhe shëtitje brenda vendit.
Që nga viti 2016-të, është vërejtur një rënie e dukshme e dukurisë së mungesave – thonë drejtuesit e kësaj shkolle.
Por nuk kanë nevojë vetëm nxënësit për t’i stimuluar. Edhe mësimdhënësit, në një mënyrë, kanë nevojë për këtë. Prandaj Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), veçon profesionistët e kësaj fushe, të cilët dallohen në punë e përkushtim përgjatë një viti me çmimin: ‘Shaban Jashari’.
Këtë çmim sivjet e rrëmbeu një mësuese nga Drenasi:
“Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka ndarë çmimin tradicional “Shaban Jashari”, për mësimdhënësin e dalluar të vitit, i cili çmim këtë vit i është ndarë mësueses Valbona Tahiraj nga komuna e Drenasit” – thuhet në njoftimin e sivjetmë të kësaj ministrie.
Të dhëna të tjera
Raportet e mëhershme të përpiluara nga MAShTI, vënë në dukje faktin se Kosova ka bërë përpjekje që ta zhvilloj një sistem arsimor në të gjitha nivelet. Në bazë të këtyre raporteve, 9 nga 10 fëmijë ndjekin arsimin fillor, 8 nga 10 ndjekin atë të mesëm ndërsa 5 nga 10 ndjekin atë të lartë.
Të dhënat më të hershme nga MAShTI thonë se në Kosovë, numri i mësimdhënësve në vend është 23.830, pastaj 382.000 nxënës dhe 122.000 studentë.
Me cilat probleme përballet sistemi i arsimit në Kosovë?
Sipas profesor Visar Zekës,problemet janë të shumta, dhe të lloj llojshme:
“Le ta përqendrojmë përgjigjen e kësaj pyetjeje tek arsimi parauniversitar. Diagnostifikimi i problemeve të dukshme në arsim mendoj se nuk kërkon kushedi se çfarë hulumtimesh. Problemet vërehen fare lehtë, meqë ato tashmë notojnë mbi sipërfaqe” – vë në dukje ai, në një intervistë të paradokohshme.
“Fjala vjen, ne mund të nisim nga tërë infrastruktura, tekstet dhe mjetet shkollore, logjistika, klasët e mbingarkuara, sjelljet, mungesat dhe braktisjet e mësimit nga nxënësit, integriteti moral, etik, pedagogjik dhe kualifikimet përkatëse të mësimdhënësve, deri tek roli kyç i prindërve në mbarëvajtjen e tërë procesit shkollor. Nuk është se çdo shkollë në Kosovë ballafaqohet me këto apo probleme të ngjashme. Por shkolla të tilla, fatkeqësisht, janë përjashtime.”
Sipas tij: “Reforma në arsim, veç tjerash, mendohet edhe si kurim i këtyre problemeve. Konvecionalisht, reformat në arsim vijnë nga lartë poshtë, pra nga qeveria (cilado qeveri) tek shkollat. Tek ne ky proces është i lidhur kryekëput me interesa të ngushta politike dhe komerciale, shtoja kësaj përfshirjen e mangët të vet mësimdhënësve me përvojë në proceset e vendim-marrjeve për çështje jetike të arsimit, dhe kurimi vetëm sa bëhet edhe më i vështirë, në mos i pamundur për t’u realizuar. Shprehur në terma mjekësorë, unë e shohë tërë këtë ndërmarrje reformash tek ne vetëm si përpjekje për kurim simptomatik, por gjithsesi i domosdoshëm për sistemin e tanishëm arsimor. Diagnostifikimi dhe kurimi tërësor i problemeve më të thella, mendoj se kërkon analiza shumë më të hollësishme, të cilat tejkalojnë nivelin vendor dhe lidhen ngushtë me të rimenduarit dhe transformimin e tërë sistemit arsimor. Meqë priremi t’i kopjojmë modelet e të tjerëve, pse të mos mendojmë edhe rreth atyre zërave jo të rrallë alternativë që mendojnë dhe përpiqen të shohin përtej shablloneve rigjide të sistemit të sotëm arsimor.”
Mësuesja Hasime Krasniqi, ndërkaq, sugjeron që ndryshimet të bëhen, meqë ato janë të nevojshme në qoftë se janë në dobi të nxënësve:
“Të edukosh brezat e rinj është vërtetë kënaqësi, është ndjeja më e mirë që mund ta ketë një njeri. Kur sheh nxënësit që rriten e edukohen me mësimet që ua ke dhënë është shumë kënaqësi. Po jem në dijeni për ndryshimeve dhe mendoj se duhet gjithmonë të ketë ndryshime, gjithmonë në të mirë të nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe në përgjithësi të komunitetit. Rezultatet e testit PISA nuk na kanë bërë të ndihemi mirë asnjë e sidomos ne punëtorëve të arsimit por mendoj që në testin në fjalë ndikojnë shumë faktorë dhe shpresojmë të arrijmë rezultate çdo vit e më shumë dhe të na bëjnë nxënësit tanë krenarë neve dhe mbarë kombin. Mësimi dikur dhe tani ka pësuar ndryshime qoftë në aspektin e mësimnxënies qoftë në aspektin e mësimdhënies. Tani kemi mundësi të marrim informata të ndryshme përmes teknologjisë dhe ato tash përdoren edhe gjatë procesit mësimor e jo si më parë ku burim të vetëm i kemi pasur vetëm librat. Gjithashtu ndryshim kemi te planprogrami dhe te qasja në trekëndëshin: mësues, nxënës dhe prind.”
Mësuesit, veç tjerash po kërkojnë trajtim më të dinjitetshëm nëpërmjet ‘Ligjit për Pagat’. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK-u), ka paralajmëruar greva në qoftë se ligji i ri i miratuar, nuk implementohet së shpejti. Qeveria Kurti, ndërkaq është zotuar se këtë ligj duhet rishikuar, e më pas edhe implementuar. Prindërit, nga ana tjetër, po luten që vendi të mos hyjë në një seri krizash, grevash e protestash, të cilat mund ta dëmtojnë rënd sistemin arsimor. Mësimdhënia është një profesion fisnik, e pranojnë të gjithë, ashtu edhe duhet trajtuar. Fraza klishe: “Rinia është e ardhmja e vendit”, vetëm në këtë ditë nuk tingëllon e tillë, kur thuhet nga ata që janë të përkushtuar në edukimin e saj.