E enjte, 28 Nëntor, 2024

Bullizmi virtual dhe ndikimi në psikologjinë e nxënësve

- Advertisement1-

Kjo formë e re e bullizmit transmetohet më rrezikshëm krahasuar me formën tradicionale, duke hasur terren të gjerë dhe duke u kthyer në shqetësim të madh për fëmijët dhe të rinjtë brenda dhe jashtë ambienteve shkollore.

UNICEF e përkufizon bullizmin virtual si “ngacmim nga përdorimi i teknologjive digjitale”. Aktivitetet e përfshira në bullizmin virtual fillojnë nga postimi ose dërgimi i përmbajtjeve të papërshtatshme, dëmtuese, ose të rreme për një person ose një grup njerëzish. Bullizmi virtual klasifikohet më i rrezikshëm në krahasim me bullizmin tradicional ballë për ballë, pasi agresori mund të sulmojë vazhdimisht dhe ka mundësi të fshihet.

- Advertisement -

Bullizmi nga interneti është mjaft i përhapur te fëmijët, adoleshentët dhe studentët. Fëmijët që bien pre e formës së ngacmimit në internet përjetojnë ankth, stres, madje dhe depresion, shoqëruar me ulje të vetëbesimit, si dhe të rezultateve në shkollë. Sipas një raporti nga Qendra e Kërkimeve Pew, thuajse 60% e fëmijëve kanë përjetuar një lloj bullizmi virtual të paktën një herë në jetën e tyre.

Në bullizmin virtual përfshihen këto sjellje:

marrja dhe dërgimi i mesazheve dhe email-eve abuzive;
krijimi i grupeve bullizuese në rrjete sociale;
vjedhja e identitetit përmes llogarisë në rrjete sociale dhe dëmtimi i imazhit të tyre;
shpërndarja e fotove apo bisedave private të të tjerëve;
publikimi i mesazheve, fotove, videove të papërshtatshme dhe dëmtuese në rrjetet sociale.

Shenjat treguese që një fëmijë ka rënë pre e bullizmit virtual, janë:

kur nuk e përdor më telefonin apo kompjuterin, pavarësisht se më parë e ka përdorur shpesh;
kur shmang mbajtjen e telefonit në praninë e njerëzve të tjerë, prindërve dhe miqve;
kur është më i mbyllur emocionalisht se zakonisht, apo më i tërhequr;
kur shmang njerëzit, përfshirë miqtë dhe familjarët;
kur këmbëngul të mos shkojë në shkollë dhe nxjerr justifikime të shpeshta;
kur shfaq nervozizëm gjatë leximit të mesazheve apo email-it, duke vendosur kode të shumta privatësie në telefon dhe rrjetet sociale.

Ndikimet negative të bullizmit virtual në psikikën e fëmijëve

- Advertisement -rrrrrrr

1- Ndjenja e frikës dhe e pështjellimit

Në rastet e ngacmimit të shpeshtë nga më shumë se një person, nxënësit krijojnë një perceptim armiqësor ndaj botës së jashtme, shkollës dhe shtëpisë. Në sytë e një fëmije të bullizuar, të gjithë e dinë për ngacmimin e tij, duke mbështetur agresorin, por jo atë. Kështu, disa fëmijë krijojnë prirjen për ta përballuar vetë situatën, pa e ndarë me asnjë tjetër.

2- Ndjenja e poshtërimit

Bullizmi virtual ka një audiencë masive. Postimet negative shpërndahen në kohë reale, duke e bërë të vështirë procesin e fshirjes së materialeve ngacmuese. Prandaj, shumë nga nxënësit e ekspozuar janë vazhdimisht pre e ndjenjave poshtëruese.

3- Ndjenja e pafuqisë

Viktimat e bullizmit virtual janë vazhdimisht pre e sulmeve, në shtëpi, në shkollë, në rrugë, gjatë pushimeve dhe në supermarket. Kompjuteri dhe telefoni bën që nxënësit të jenë në qendër të ngacmimeve. Kur ngacmuesit janë anonimë, ndjesia e të qenit të pafuqishëm i shoqëron nxënësit për një kohë të gjatë.

4- Ndjenja e padobishmërisë

Kur bullizuesit ngacmojnë më të pambrojturit, ata shpesh rrënjosin idenë e padobishmërisë tek ata. Këto ndjenja kanë pasoja të frikshme. Nxënësi i ngacmuar fillon të besojë se nuk ka vlera në shoqëri, se është i padenjë për dashuri dhe mbështetje. Për shembull, nëse një fëmijë quhet i shëndoshë përmes etiketimeve në rrjete sociale, ai fëmijë do provojë dieta të ashpra për t’u dukur mirë në sytë e bashkëmoshatarëve, duke dëmtuar shëndetin e tij. Shpesh fëmijët që kanë rënë pre e bullizmit virtual kanë prirjen për të braktisur shkollën, ose shtëpinë, pasi e konsiderojnë vetën të padobishëm në komunitet.

5- Ndjenja e vetmisë dhe e izolimit

Shumë nga nxënësit dhe adoleshentët e bullizuar në shkollë përjetojnë vetmi dhe mosdëshirë për t’u shoqëruar. Kjo mënyrë çon në thellim të izolimit, duke e rënduar situatën. Komunikimi është i domosdoshëm për t’i bërë ballë kapërcimit të problematikës. Në disa raste, fëmijët kanë prirje të shmangin rrjetet sociale dhe kompjuterët, për t’u izoluar nga ngacmimi.

6- Sëmundje fizike

Psikosomatikja (sëmundje e shkaktuar nga faktorët mendorë, si stresi) vërteton se gjendja emocionale ndikon në shëndetin fizik. Fëmijët e bullizuar virtualisht shfaqin simptoma, si: dhimbje koke, stomaku, probleme me lëkurën, pagjumësi dhe ankthe. Prindërit mund ta gjejnë veten në vështirësi me këtë situatë, duke kërkuar ndihmë profesionale të psikologëve ose mjekëve.

7- Mungesa e interesit

Nëse fëmija nis të humbasë interesin në shkollë ose në hobit e preferuar, qoftë edhe në shoqërimin me miqtë, atëherë prindi duhet të komunikojë me fëmijën mbi shqetësimet. Fëmijët që kanë rënë pre e bullizmit janë të pamotivuar, të painteresuar në orët mësimore, si dhe për notat e tyre. Nga stresi, fëmijët e bullizuar kanë mungesë përqendrimi, madje dëshirojnë që të shkëputen nga shkolla.

8- Depresioni

Nëse episodet e bullizmit virtual ndodhin rregullisht, emocionet e mësipërme çojnë në depresion. Tek adoleshentët, depresioni mund të çojë në mendime ekstreme, si vetëvrasja. Bullizmi virtual mund të ndryshojë rrënjësish të ardhmen e fëmijëve, nëse nuk parandalohet në kohë. Të bashkuar, prindërit, mësuesit dhe fëmijët mund të reduktojnë fenomenin e bullizmit virtual.

Si të parandalojmë bullizmin virtual?

Media virtuale dhe interneti janë domosdoshmëri e ditëve të sotme për shoqërizim dhe njohuri të reja. Pandemia nxiti nevojën e ndërveprimit virtual në çdo nivel të punës, mësimit dhe argëtimit. Në rastet negative të bullizmit virtual, fëmijët dhe adoleshentët duhet të ndërgjegjësohen se ka një zgjidhje, duke biseduar me prindërit ose me mësuesit. Për çdo abuzim virtual, abuzim seksual, dhunë fizike, dhunë psikologjike, bullizëm, fëmijët/adoleshentët duhet t’i drejtohen edhe linjës telefonike kombëtare për mbështetjen e fëmijëve ALO 116 111 (https://alo116.al/). Gjithashtu në numrin e policisë së shtetit 112.

Në rritjen e ndërgjegjësimit për prindër-fëmijë-mësues, shërben edhe manuali i UNICEF “Një klikim larg; përvoja e përdorimit të internetit nga fëmijët në Shqipëri”.  /portalishkollor/

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Profesori Shani Paqarizi nga Malisheva me punim fantastik për 28 Nëntorin

Sot festojnë 28 Nëntorin shqiptarët kudo që janë. Për nder të 28 Nëntorit, në të...

Pezullohet nga puna mësuesi që nuk lejoi nxënësen të hyjë në shkollë me veshje kombëtare

Mësuesi i gjuhës angleze, Muhamed Hajredinaj që nuk e lejoi dje nxënësen 11-vjeçare të...

Shkolla “Xhemajl Mustafa”, në Prishtinë feston 28 Nëntorin me program të pasur artistik

Shkolla fillore "Xhemajl Mustafa", në Prishtinë ka festuar 28 Nëntorin me një program tejet...

Kremtimi i festës së flamurit në shkollën “Zef Serembe” në Gllaviçicë – Pejë

Kremtimi i Festës së Flamurit nga nxënësit e shkollës "Zef Serembe" në Gllaviçicë, Pejë,...