Përveç studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës, të cilët e kanë bojkotuar mësimin për një orë, më 11.04.2024, edhe studentët e Mjekësisë, ku u raportua ngacmimi seksual në UP, nuk kanë mbajtur mësim.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vetë Fakulteti i Mjekësisë, i cili nuk i është referuar si “bojkot” mosmbajtjes së procesit mësimor.
Bojkotimi i mësimit në UP u përfol gjatë ditës së bashku me protestën e aktivistëve para Rektoratit të UP-së.
Aktivistë të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë u shpërndanë me forcë nga Policia e Kosovës, pasi bllokuan hyrjen e Rektoratit të UP-së më 11.04.2024, gjatë protestës të cilën e kishin paralajmëruar më 10.04.2024.
Nga data 03.04.2024, aktivistët kanë kërkuar përjashtimin e profesorit Xhevat Krasniqi, të cilin e kanë denoncuar 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual.
seksual.Krasniqi vazhdon të figurojë si profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit e në anën tjetër denoncimi për ngacmim seksual po trajtohet nga Këshilli i Etikës të UP-së.
UP-së.Ekipi i KALLXO.com raportoi nga protesta se disa aktivistë janë tërhequr zvarrë nga Policia e Kosovës për të zhbllokuar hyrjen e Rektoratit.
Përveç protestës, më 09.04.2024, LFS së bashku me Kolektivin për Mendim dhe Veprim Feminist, përmes një letre të hapur drejtuar Këshillit të Etikës dhe Rektoratit të UP-së teksa kishin kërkuar përjashtimin e profesorit Krasniqi kishin paralajmëruar edhe bojkot dhe bllokim të procesit mësimor në UP për më 11.04.2024.
Gjatë protestës të mbajtur më 11.04.2024, organizuesit e protestës i kanë thënë ekipit të KALLXO.com se studentët e Fakultetit të Mjekësisë dhe të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në UP e kanë bojkotuar mësimin më 11.04.2024.
Sipas dekanit të këtij Fakulteti, Ahmet Shala, Këshilli i Studentëve të FIM ka bërë thirrje që të bojkotohet mësimi në solidarizim me kërkesën që Lëvizja Feministe Studentore (LFS) kishte bërë më 09.04.2024 për bojkotimin e mësimit.
Kurse, Fakulteti i Mjekësisë (FM) nuk e cilëson “bojkot” të mësimit por “mosvijim” i mësimit nga studentët, kjo pasi kanë komunikuar me Këshillin Studentor të FM, i cili ka deklaruar se në një pjesë të konsiderueshme të degëve të FM-së studentët nuk e kanë vijuar mësimin.
Ata madje nuk mendojnë se arsyeja e mosndjekjes së mësimit ditën e enjte është solidarizimi me thirrjen e LFS-së për bojkot të mësimit.
“Paraprakisht nuk kemi pasur ndonjë paralajmërim për mosvijimin e mësimit nga studentët ditën e sotme (11.04.2024). Arsyeja e mosndjekjes së mësimit sot më shumë ka të ngjarë të jetë “lidhja” e dy ditëve të pushimit (e martë dhe e mërkurë) me ditën e sotme sesa solidarizimi me thirrjen e ditës së djeshme për bojkotimin e mësimit për sot” – thuhet në përgjigjen e Fakultetit të Mjekësisë më 11.04.2024.
Se çka do të ndërmarrin me rastin e humbjes së një dite mësim nga studentët e Mjekësisë, nga FM kanë thënë se do ta zëvendësojnë mësimin e humbur.
“Sikurse parashihet edhe në rregulloret në fuqi dhe bazuar edhe në rastet e ngjashme paraprakisht, do ta ftojmë stafin akademik që të zëvendësojnë mësimin e humbur në ditët në vijim” – janë përgjigjur nga FM.
Marrë nga Kallxo.com