Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk është miratuar ende.
Ndërsa, ende nuk dihet se kur ky projektligj do të mund të shkoj për miratim në Qeveri e pastaj në Kuvend për t’u miratuar në të dy leximet.
Ani pse ministri i Kurtit, Xhelal Sveçla, kishte deklaruar se Projektligji për Paga për sektorin publik do të procedohet për miratim në Qeveri në muajin mars, shkruan Front Online.
Por, pavarësisht këtyre premtimeve tashmë jemi në fund të muajit korrik dhe nuk dihet se çfarë është duke ndodhur me këtë projektligj.
Ndërsa, tri ditë më parë në media është raportuar se të enjtën do të mblidhet Grupi Punues për këtë projektligj.
Front Online, lidhur me këtë takim të mundshëm ka kërkuar përgjigje edhe nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, po i njëjti nuk ka kthyer fare përgjigje.
Kryeziu, nuk është përgjigjur edhe kur është pyetur se kur pritet të bëhet draftimi përfundimtar i këtij projektligji.
Ndërsa, nga opozita po kërkojnë që ky projektligj të sillet sa më parë në Kuvend.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa për Front Online ka thënë se pavarësisht zotimeve, kjo Qeveri për shkak të paaftësisë nuk po mund të kryejë detyrat e saj.
“Ligji i Pagave është më shumë se i domosdoshëm për me ardhë në Kuvendin e Kosovës dhe me kalua në dy leximet. Unë e shoh më shumë paaftësi të Qeverisë me kry një detyrë e për të cilën është zotuar që do të kryhet në një kohë të caktuar dhe këto vonesa nuk kanë asnjë arsyetim”, ka thënë Beqa, për Front Online.
Madje, deputeti Beqa është skeptik nëse ky projektligj do ti dërgohet Kuvendit edhe në sesionin vjeshtor.
“Është e pamundur që ky projektligj të vie në Kuvend në sesionin pranveror. Unë konsideroj që është sukses për Kuvendin e Republikës së Kosovës që me neglizhencën që po e bën Qeverisë nëse arrijnë që në sesionin e dytë të përfundojë Ligji i Pagave dhe të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm”, është shprehur ai.
Kërkesë që ky projektligj të sillet sa më parë në Kuvend ka bërë edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Deputetja e kësaj partie, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka deklaruar për Front Online se implikimet buxhetore po e vonojnë draftimin e tij.
“Nuk po sillet ne Kuvend se ka implikime buxhetore. Nuk besoj se vjen ne Kuvend para pushimeve edhe pse ne kemi kërkuar ne vazhdimësi si parti”, ka pohuar deputetja.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri në një deklaratë për Front Online kohë më parë ka thënë se ky ligj ka mbetur në sirtarët e Qeverisë dhe nga ky mos vullnet i kësaj të fundit po dëmtohet secili zyrtar publik.
“Ligji i Pagave ka mbet diku në sirtar është i bllokuar dhe tash një vit e gjysmë nuk vjen për miratim në Kuvend. Ashtu siç e kemi bërë si grup parlamentar e kemi thënë edhe tash e themi se ky ligj e ka dëmtua secilin zyrtar publik”, është shprehur Tahiri, për Front Online.
Për shkak të mos miratimit të këtij ligji, në sektorin e arsimit janë paralajmëruar greva të përgjithshme qysh në fillim të muajit shtator.
Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.
Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për Paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.
Ky ligj rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë.
Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.