Blendi Hodai nga Forumi për ndryshime në arsim është i ftuari i radhës në emisionin “PodGo” me të cilin kemi diskutuar për arsimin në vend, politikën, si dhe të rinjtë.
Ai tha se një ndër problemet më të mëdha në arsim është partizimi, si dhe cilësia e ulët e mësimdhënësve. Blendi tha se në këtë periudhë të rinjtë janë në gjendje më të mirë se pesë vite më parë, si dhe parashikoi që të ndodhin ndryshime më të mëdha për shkak të zhvillimit teknologjik.
“Partizimi si fenomen ka hyrë edhe në sistemin arsimor. Profesorët e ardhshëm kalojnë nëpër shtabe të partisë, dmth pa mos e pasur aminin e të parit të partisë ata nuk mund të ligjërojnë nëpër shkolla ose universitete. Jo rastësisht rezultatet e PISA-s tregojnë se 70 përqind e nxënësve nuk arrijnë të kuptojnë atë që lexojnë. Dhe për këtë nuk janë fajtorë nxënësit, por ata që i mësojnë nxënësit. Kemi degradim të sistemit arsimor. Maqedonia e Veriut është në kaos të madh në sistemin e lartë arsimor. Duhet të ketë reforma radikale”.
“Jemi më mirë se para pesë viteve, pasi kemi hapësira të pavarura organizimi. Para pesë viteve ka qenë ndryshe. Ndërsa në pesë vitet e ardhshme besoj se do të ketë ndryshime të mëdha për shkak të zhvillimit të inteligjencës artificiale. Mendoj se duhet të jetë më etike mënyra se si përdoret inteligjenca artificiale”, tha Blendi.
Sa sfidave të të rinjve, ai tha se për momentin të rinjtë ballafaqohen me mundësi të pakta si dhe shërbimi i dobët që marrin nga autoritetet shtetërore.
“Më shumë i shoh nga aspekti shoqëror disa gjëra. Mendoj që një ndër sfidat që i kemi janë mundësitë që i kemi. Është problem që pasi të kryejmë arsimin e lartë e kemi të vështirë të gjejmë punë. Gjithashtu mendoj që sfidë janë shërbimet publike që i ofron shteti, shëndetësia, arsimi, drejtësia. Këto janë edhe ndër arsyet që i shtyjnë qytetarët të ikin nga vendi”, tha Blendi.
E pyetëm se çfarë do të ndryshonte nëse do të ishte ministër i Arsimit, Blendi përmendi tre gjëra.
“Do të kisha filluar me ndryshime në arsimin e lartë, me profilizimin e universiteteve, p.sh të ketë tre fakultete juridike ose ekonomike në të gjithë vendin. Nëse bëhet kjo do të rritet cilësia e mësimdhënëse, gjithashtu do të bëhej profilizimi i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore. Gjithashtu kisha bërë veting në arsimin e lartë. P.sh Koço Angjuhshevi për momentin i cili është në listën e zezë, ligjëron në Fakultetin e Makinerisë në Shkup. Gjithashtu mendoj që është shumë i nevojshëm reformim i tërësishëm i arsimit të mesëm. Duhet të avancohet modeli dual i arsimit të mesëm sipas shembullit të Gjermanisë. Vendit nuk i duhen vetëm gjimnazistë, por i duhen edhe zanatçinjë”, tha Blendi./Telegrafi/