Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) është distancuar nga një aktivitet që u zhvillua në një xhami në Prishtinë, më 31 dhjetor, kur fëmijëve u ishte dhënë detyrë të mendonin për mënyra se si t’i bindin prindërit të mos e festojnë Vitin e Ri. Për këtë aktivitet, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prishtinës ka thënë se do ta intervistojë imamin e xhamisë “Mati 1”, Fadil Musliu.
Aktivitetin e zhvilluar në këtë xhami, sociologu Artan Muhaxhiri e cilëson si keqpërdorim të fëmijëve dhe thotë se BIK-u duhet të jetë më i informuar për aktivitetet që zhvillohen brenda xhamive, si ajo “Mati 1” në Prishtinë.
Përmes një postimi në faqen e xhamisë në rrjetin social Facebook, u bë e ditur se, në prag të festës së Vitit të Ri, fëmijëve, kryesisht të mitur, u ishte prezantuar një leksion kundër festimit të Vitit të Ri.
“Ata sollën punimet e tyre në klasë dhe shpjeguan në mënyrë të hollësishme se si do të tentonin t’i bindnin prindërit e tyre të mos e festojnë një festë pagane”, thuhet në postimin e xhamisë “Mati 1”.
Fotot e fëmijëve, gjatë përfshirjes në aktivitetin e organizuar më 31 dhjetor, janë publikuar në postimin e kësaj xhamie. Postimi tërhoqi reagime të shumta në rrjete sociale – disa prej tyre mbështetnin aktivitetin e zhvilluar, e disa të tjerë e kritikonin atë.
“Si mund t’i bindni prindërit të mos e festojnë Vitin e Ri”, ishte tema, për të cilën “nxënësit kishin për obligim të paraqisnin një ide në letër”, thuhet në postimin e publikuar më 31 dhjetor në faqen zyrtare në Facebook, të xhamisë “Mati 1” në Prishtinë.
Nga Departamenti i Gruas në BIK thonë se ky aktivitet nuk ka qenë i planifikuar në koordinim me BIK-un. Vartëse e këtij departamenti është edhe mësuesja Xheneta Fejzullahu-Fejziu, që zhvillon mësimdhënien bazike për besimin islam me fëmijë në xhaminë “Mati 1”, shkruan Rel.
Udhëheqësja e këtij departamenti të BIK-ut, Vaxhide Podvorica-Bunjaku, thotë se aktiviteti, i cili ka ngjallur debat në publik, nuk ka qenë i qëllimshëm dhe as i planifikuar nga departamenti që ajo drejton.
“Është i rastësishëm, nga vetë mësuesja. Ne, si departament, nuk e pranojmë një gjë të tillë. Ka qenë si aktivitet i rastit, i momentit, dhe jo i planifikuar”, thotë Podvorica-Bunjaku.