E shtunë, 27 Korrik, 2024

Biblioteka Kombëtare mban në dry sallën e madhe në mungesë të lexuesve

- Advertisement1-

Rreth 10 mijë lexues ka numëruar Biblioteka Kombëtare e Kosovës në një vit. Por ky numër është në rënie çdo vit. Sallat e leximit që dikur ishin të mbushura me lexues, kanë mbetur bosh. E salla e cila zë rreth 300 lexues ka dy vjet që nuk është hapur për shkak të mungesës së lexuesve.

Pritjet në radhë për të zënë një vend në një nga tavolinat e leximit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, kanë mbetur vetëm rrëfime të së kaluarës.

- Advertisement -

Sallat e leximit që dikur ishin të mbushura me lexues kanë mbetur bosh. Dhoma e cila zë rreth 300 lexues, e njohur si “salla madhe”, ka dy vite që nuk është hapur për shkak të mungesës së lexuesve. Druri i mbjellë në mes të sallës është objekti i vetëm që i jep ngjyrë sallës së vetmuar. Ulëset e drurit të cilat i kanë mbijetuar kohës, pastrohen vazhdimisht me shpresën se lexuesit do të rreshtohen edhe njëherë në rend për t’u ulur në to. Tani ngrohja e Bibliotekës lëshohet vetëm në një sallë, e cila ka kapacitetin për rreth 100 lexues dhe është e vetmja aktualisht që shfrytëzohet nga lexuesit. Menaxhmenti i Bibliotekës tregon se rrallë herë mbushet në tërësi. Dhoma arrin t’i përafrohet gufimit të dikurshëm vetëm në periudhën kur institucionet e arsimit të lartë mbajnë provimet lëndore.

Driola Ukaj, e cila është studente ne Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, është një ndër të paktët lexues që e shfrytëzon këtë hapësirë për studimet e saj. Ajo tregon se në ditë i shpenzon rreth tri orë në ambientet e Bibliotekës.

“Zakonisht kur kam provime, ndoshta qëndrojë dy orë e tri, nuk po mundem të qëndrojë më shumë. Nuk po mundem të mësojë në të njëjtin vend po më duhet ta ndërrojë vendin”, ka thënë ajo.

Rendi dhe qetësia që mbretëron në sallat e leximit të kësaj biblioteke, është një ndër arsyet pse studiuesja e biologjisë e frekuenton këtë vend.

“Më pëlqen më së shumti pasi është qetësi dhe zakonisht janë disa njerëz më të matur sesa në bibliotekat e universitetit pasi janë më të zhurmshme se këtu, pra kjo më pëlqen më së shumti pasi ka qetësi më shumë”, ka thënë Ukaj.

Mihrije Thaçi, shefe e departamentit të informacionit dhe shërbimeve bibliotekare, ka thënë se për një vit kanë pasur rreth 10 mijë përdorues. Në krahasim me vitin 2022 është 500 më pak. Rënia e interesimit për të frekuentuar Bibliotekën, sipas Thaçit lidhet me zhvillimet teknologjike.

- Advertisement -rrrrrrr

“Prej vitit në vit pra ndryshon numri i përdoruesve që vijën në Bibliotekën Kombëtare. Çdo vit numri i përdoruesve në Bibliotekën Kombëtare është në rënie për arsye se përdoruesit zgjedhin forma të tjera për të marrë shërbimet në institucionet tjera. Tashmë dihet edhe Biblioteka e qytetit ka një fond të vetin, fakultetet dhe digjitalizimi e kanë bërë të veten”, ka thënë ajo.

Gjithashtu, sipas Thaçit periudha e pandemisë Covid-19, ka zbehur interesimin për të shfrytëzuar ambientet dhe fondin e Bibliotekës

“Para pandemisë numri i rënies së përdoruesve ka qenë më gradual edhe jo kaq i theksueshëm, ndërsa pas pandemisë numri në Bibliotekën Kombëtare i atyre që e përdorin fondin e Bibliotekës Kombëtare është bukur më madh”, ka thënë ajo.

Qëndrimi me orë të tëra si dikur i studentëve e hulumtuesve nuk është një rutinë që praktikohet shpesh.

“Në Bibliotekën Kombëtare përdoruesit edhe lëvizin nuk mundem me thanë që nuk ka prej atyre që janë për lakmi që qëndrojnë bukur gjatë, kjo kryesisht ndodhë në kohën kur ndodhë afati i provimeve për shembull në janar ka përdorues që kanë qëndruar aty edhe 5-6 orë”, ka thënë Thaçi “Numri më i madh i përdoruesve është që qëndrojnë 2 orë, vijnë përdoruesit e tjerë, do të thotë ndërrohen përdoruesit”, ka shtuar ajo.

Studentja Ukaj thekson se mosqëndrimi i gjatë në ambientet e Bibliotekës ka të bëjë me mungesën e fokusimit për të studiuar me orë të tëra.

“Është ngrohtë, ulëset janë të vjetra por janë të rehatshme. Nuk ka të bëjë me ambientin por është më shumë se kam nevojë që të ndërroj vend për t’u fokusuar më mirë, pasi qëndrimi në një vend për orë të tëra edhe zbeh fokusimin në ato materiale që i lexon”, ka thënë ajo.

Ukaj tregon se një ndër arsyet pse e viziton Bibliotekën është edhe fondi i pasur i këtij institucioni.

“Këtu e di që gjithçka që më nevojitet i gjejë”, ka thënë ajo.

E Thaçi tregon se angazhohen që të përmbushin kërkesat e studentëve dhe misionin e Bibliotekës në mbledhjen, ruajtjen, dhe vënien në dispozicion të dokumenteve të shkruara dhe të trashëgimisë intelektuale të Kosovës.

“Ne po ashtu si departament i informacionit, jemi të obliguar që të marrin shënime për materiale për natyra të ndryshme që nuk kemi pasur mundësi t’i shërbejmë, dhe ato evidence e mbledhim dhe i blejmë ato materiale të cilat nga kanë munguar”, ka thënë ajo.

Biblioteka vazhdon të ofrojë edhe dhoma të veçanta për hulumtuesit, të cilat ndodhen në katin e dytë. Hapësira prej 4 metrave me një karrige dhe një tavolinë sipas Thaçit, shfrytëzohet shpeshherë nga hulumtuesit për punimet e tyre shkencore. E bufeja e cila kishte gjallëri, tani shërben si depo e librave.

Rënia e interesimit për të lexuar vërehet edhe te nxënësit. Për këtë menaxhmentet e institucioneve arsimore shpeshherë organizojnë vizita në Bibliotekën Kombëtare, me qëllimin që të nxisin kulturën e leximit. Dhjetëra nxënës të shkollës “Asdreni” në fshatin Llabjan të Komunës së Novobërdës, panë nga afër objektin për të cilin mësimdhënësit e tyre u ligjëronin për rëndësinë e saj.

“Kemi ardhur me klasën e gjashtë, me klasën e nëntë dhe klubin letrar për ta parë nga afër punën në bibliotekë kombëtare, gjithashtu atë të cilën e kanë mësuar në lëndën e gjuhës shqipe ta konkretizojnë edhe në Bibliotekën Kombëtare. Kjo ndikon edhe në motivimin e nxënësve për të lexuar libra, për të ndjekur mësimin, për të qenë të rregullt në mësime”, ka thënë Albert Mustafa, drejtori i shkollës. “Në përgjithësi edhe në shkollën tonë, por edhe në bibliotekë, ka rënie të numrit lexuesve, por ne po bëjmë përpjekje në maksimum që të rrisim vetëdijesimin për rëndësinë e librit”, ka shtuar Mustafa.

Getoarta Osmani, nxënëse në klasën e tetë në shkollën “Asdreni”, ka thënë se leximin e ka rutinë për qejfi.

“Unë jam pjesë e klubit letrar në shkollë. Nuk kam lexuar ndonjëherë në një bibliotekë. Më rehat ndihem kur lexoj në shtëpi, por edhe me në ndonjë vend me shoqërinë ku e kemi mundësinë të komentojmë atë që e lexojmë”, ka thënë ajo.

Objekti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është funksionalizuar para 79 vjetëve, projektin e së cilës e ka e projektuar arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq.

Ndërtesa prej shumë kupolave nuk frekuentohet në masë se si ishte frekuentuar më herët nga lexuesit, por vazhdon të mbetët lokacion i kërkuar nga vizitorët për shkak të tipareve arkitektonike, e cila ka një grumbull kubesh, që përforcohen nga rrjeti prej alumini në forma 6-këndore. Rudina Tahiraj, zyrtare për Komunikim në Bibliotekën Kombëtare, ka thënë se çdo ditë kanë për vizitë dhjetëra shtetas të huaj.

“Kemi shumë vizitorë të cilët i presim, e ua tregojmë historikun. Definitivisht është një ndër vendet që karakterizon kryeqytetin në sytë e të huajve”, ka thënë ajo. /KOHA

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Vera Çollaku nga Prizreni diplomon në afat rekord në Fakultetin e Mjekëisë

Vera Çollaku 23 vjeçare nga Prizreni ka diplomuar në afat rekord në Fakultetin e...

Argjent Latifi nga Podujeva diplomon në njërin prej universiteteve më të njohura në Londër

I riu kosovar Argjent Latifi, me origjinë nga qyteti i Podujevës, është bërë tashmë...

Erëza Durmishi, doktoresha më e re në qytetin e Mitrovicës – diplomon në afat rekord

Qytetit të Mitrovicës i'u shtua edhe një mjeke e re, kjo është Erëza Y....

Alarmante: Bie në nivel rekord interesimi për të studiuar në Juridik, nuk plotësohet as numri

Më 4 korrik, Universiteti i Prishtinës zyrtarisht hapi konkursin për pranimin e studentëve të...