Tafil Hasani, arsimtar i gjuhës shqipe në fshatin Kllodernicë të Skenderajt, tash e 26 vite është në kërkim të nënës së tij, të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Si shumë të tjerë në Kosovë, Tafili thotë se është në një betejë që për çdo ditë që kalon, dhimbja rritet e shpresa zvogëlohet.
“12 prill ka qenë, edhe dita më kujtohet, 12 prilli ditë e hënë ka qenë viti 1999. Se neve pikërisht më 27 mars na kap për herë të parë, por për herë të dytë janë fut më 12 prill, ditë e hënë ka qenë viti 1999. Edhe si sot më kujtohet, kur nëna dhe bashkëshortja ime më kanë thënë “largonu ju, sepse neve apet nuk kanë çka me na bo serbët, ne shpëtojmë, por juve mos të ju nxojnë, sepse juve munden me ju dëmtu më shumë”. Edhe jemi largu ne në ato momente në kodrën e afërt, pikërisht jemi drejtu kah fshati Rakinicë”, ka thënë Hasani.
Tafili thotë se dyshohet se nëna e tij një natë ka qëndruar në Klinë, e më pas nuk dihet asgjë për fatin e saj.
Sipas tij, dyshohet se ajo herën e fundit e gjallë është parë në vendin e njohur si “Mulliri i Jashanicës”, një lokacion në rrugën Skenderaj – Klinë.
“Ajo sipas gjasave thonë që një natë e ka bo në Klinë, kur kanë kalu të gjithë këta refugjatë tjerë, kjo një natë e ka bo në Klinë. Por tani janë kthy prapa, ata që nuk kanë mujt me kalu me shku për në Shqipëri, janë kthy, mirëpo pikërisht te ‘Mulliri i Jashanicës’, aty nuk ka ekzekutim edhe krim më të rëndë se sa me e nxjerr prej shtëpisë, me nxjerr domethënë me detyru me flejt në natyrë, po hëngër, pa pi, me frikë, me stres, domethënë krim më të madh nuk ka. As gjenocid më të madh nuk di ku mundet me pasë, se sa me e bo një vdekje të dhunshme, një vdekje të parakohshme” – rrëfen Hasani.
Nënën e tij nuk e gjeti asnjëherë deri tani.
Tafil Hasani nuk është dorëzuar. Ai ka përgatitur një padi ndaj shtetit serb për krimet që janë kryer në fshat dhe ndaj familjes së tij.
Megjithëse padia e tij ishte refuzuar në vitin 2017, ai thotë se është duke përgatitur padinë që edhe njëherë ta dorëzoj në gjykatat e Kosovës.
Në ndërkohë, në datat 14 dhe 15.05.2025 autoritetet e Kosovës përfshirë Policinë, Prokurorinë, IML-në dhe Komisionin Qeveritar për të Pagjeturit kanë kryer kërkime në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, ku janë gjetur mbetje mortore të tre njerëzve që dyshohet se i përkasin luftës së fundit në Kosovë.
Me 11 identifikimet që janë kryer së fundmi në muajin mars, aktualisht sipas Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit në Kosovë janë edhe 1,577 persona që konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Ndërsa sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë konsiderohen të zhdukur ende edhe 1,636 persona.
Në dhjetor të vitit 2024, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për zbatim të plotë për Deklaratën e Personave të Pagjetur.
Kjo Deklaratë e Përbashkët në mes të dyja shteteve ishte miratuar në maj të vitit 2023, në kuadër të Dialogut dhe përmbante zotime, si: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian. /Kallxo.com/