Në shkollën “Dituria” Llapashticë e Poshtme është shpallur “Mësuesja e Vitit” mësuesja Besarta Salihu, një vlerësim që vjen si rezultat i përkushtimit dhe punës së saj të vazhdueshme me nxënësit, shkruan AlbanianEducation.net.
Ky çmim konsiderohet plotësisht i merituar nga komuniteti shkollor, pasi mësuesja Salihu njihet për angazhimin e saj të palodhshëm në procesin edukativo-arsimor dhe për mënyrën e veçantë me të cilën arrin të motivojë dhe frymëzojë nxënësit çdo ditë në klasë.
Përveç transmetimit të dijes, ajo shquhet edhe për kultivimin e vlerave të rëndësishme te fëmijët, si respekti, përgjegjësia dhe dashuria për shkollën. Sipas kolegëve dhe prindërve, përkushtimi i saj reflektohet në sukseset dhe zhvillimin e nxënësve, si dhe në atmosferën pozitive që krijon në mjedisin shkollor.
Me këtë rast, drejtori i shkollës, Gane Selimi, ka shprehur urimet dhe mirënjohjen për kontributin e saj në edukimin e brezave të rinj.
Mësueses Besarta Salihu i urohen suksese të mëtejshme në rrugën e saj profesionale, shëndet dhe arritje të reja në misionin e rëndësishëm të arsimit.
