Besarta Haskaj- Balaj nga asistente e Nagavcit në Zyrtare e Lartë për mësim plotësues për mërgatë

- Advertisement -

Besarta Haskaj- Balaj, që i shërbeu për katër vite e gati dy muaj asistente administrative ministres në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci, ka filluar punën Zyrtare e Lartë për mësim plotësues për mërgatë në këtë Ministri nga data 02.06.2025.

- paragrafi 1 -

Pra, Haskaj- Balaj ka kaluar nga pozita politike në kabinetin e ministres Nagavci, në pozitën e shërbyeses civile në Ministri të Arsimit.

- Advertisement -

Haskaj- Balaj e kontaktuar përmes telefonit nga KALLXO.com, nuk ka pranuar të përgjigjet për emërimin e saj në Zyrtare e Lartë për mësim plotësues për mërgatë, por ka vlerësuar se meqë është pjesë e Ministrisë së Arsimit, përgjigjet të merren nga Ministria.

“Besarta jam, po asistente [e ministres Nagavci] jo ma. Po kam dhënë dorëheqje [nga pozita e asistentes], po për gjithçka duheni m’u drejtu tek zyra e komunikimit që është këtu në MAShTI përmes email-it edhe besoj mandej ju kthejnë përgjigje”- ka thënë Haskaj- Balaj, më 10.06.2025.

Nga data 10.06.2025, KALLXO.com e ka pyetur përmes email-it Haskaj- Balaj nëse ka përvojë në mësimdhënie, e cila është kërkuar sipas shpalljes së konkursit të datës 30.01.2025 për pozitën e Zyrtarit të Lartë për mësim plotësues për mërgatë në Ministri të Arsimit dhe nëse e kishte pasur për qëllim të kalonte në këtë pozitë, por nuk ka dhënë përgjigje deri në publikimin e lajmit.

- Advertisement -

Se a ka dëshmuar përvojë në mësimdhënie Haskaj- Balaj, nuk është përgjigjur as Komisioni vlerësues i konkursit për Zyrtarë të Lartë për mësim plotësues për mërgatë, ndonëse KALLXO.com i ka dërguar pyetje nga data 12.06.2025. Ky Komision e ka vlerësuar me 91 pikë ish-asistenten e Nagavcit.

Komisioni vlerësues i konkursit për Zyrtarë të Lartë për mësim plotësues për mërgatë përbëhet nga: Besim Muharremi (kryesues) dhe anëtarët – Arta Bruqaj, Nazan Safqi, Xhemajl Buzuku dhe Besiana Hyseni.

Nagavci kishte njoftuar më 12.04.2021 se Besarta Haskaj- Balaj, do të jetë asistente administrative dhe se në atë kohë ishte në përfundim të studimeve master për mësimdhënie në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Nagavci kishte bërë të ditur se Haskaj- Balaj ka qenë edhe asistente e ish-zëvëndësministrit të Arsimit, Jusuf Thaçi.

Sipas Ministrisë së Arsimit, Haskaj- Balaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e asistentes së ministres Nagavci më 16.05.2025. Në bazë të kësaj, Haskaj- Balaj ka aplikuar për Zyrtare e Lartë për mësim plotësues për mërgatë sa ishte asistente e ministres, pasi afati për aplikim ishte nga 31.01.2025 deri më 01.03.2025.

KALLXO.com e ka pyetur Agjencinë për Parandalimin e Konfliktit të Interesit (APK) nëse paraqet konflikt interesi punësimi i Haskaj- Balajt nga asistente e ministres në Zyrtare e Lartë për mësim plotësues për mërgatë në Ministri të Arsimit.

Duke u bazuar në sqarimet dhe informacionet që ia ka ndarë KALLXO.com, Agjencia ka thënë se punësimi i Haskaj- Balajt nuk paraqet situatë të konfliktit të interesit, bazuar në Ligjin për Parandalimin e konfliktit të Interesit.

Shpresa Kokollari, zëdhënëse e Ministrisë së Arsimit në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com tha se derisa kandidati i nënshtrohet të gjitha procedurave të konkursit të hapur, testimit me shkrim që bëhet përmes sistemit elektronik dhe anonimitetit të kandidatëve dhe intervistës, nuk ka mundësi të favorizimit të asnjë kandidati.

“E drejta e aplikimit e nëpunëses Besarta Haskaj- Balaj në pozitën Zyrtare e Lartë për mësim plotësues për mërgatë është e garantuar me dispozitat e nenit 9 të Ligjit Nr. 08/L-197 për zyrtarët publik dhe nuk paraqet asnjë lloj të konfliktit të interesit” – ka thënë Kokollari, më 11.06.2025.

Kokollari ka bërë të ditur se Haskaj- Balaj ishte emëruar asistente e Nagavcit më 23.03.2021

Në bazë të konkursit në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ), Haskaj- Balaj ka emërim me afat të pacaktuar në pozitën e Zyrtares së Lartë për mësim plotësues për mërgatë.

Po ashtu, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, më 11.06.2025, ka shpjeguar se pozita e Haskaj- Balajt është e katogorisë profesionale, dhe sipas Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë emërimi në këtë pozitë duhet të jetë me afat të pacaktuar.

Për dallim prej pozitave drejtuese, të kategorisë së mesme apo të ulët, që sipas Ligjit për zyrtarët Publikë parashihet emërim me mandat katër vjeçar.

Në bazë të konkursit të datës 30.01.2025, Zyrtari i Lartë për mësim plotësues për mërgatë ka këto detyra:

– Krijon dhe zhvillon pandërprerë konceptin dinamik dhe bazën profesionale, juridike dhe materiale për organizimin, mbështetjen, mbikëqyrjen dhe vlerësimin e shkollës së mësimit plotësues në gjuhën amtare në diasporë,

– Bashkëpunon dhe bashkërendon veprimet me të gjitha institucionet qeveritare dhe joqeveritare brenda Kosovës me interes për shkollën e mësimit plotësues, posaçërisht identifikimin dhe harmonizimin e veprimeve me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministrinë e Kulturës;

– Inicion dhe koordinon aktivitetet me Divizionin e Kurrikulave dhe Teksteve shkollore dhe subjektet e tjera me interes brenda dhe jashtë vendit, për hartimin e Kurrikulës për shkollën në diasporë;

– Bashkëpunon me zyrtarin e MASHTI-t për tekste shkollore dhe materiale mësimore për zhvillimin edhe të teksteve dhe materialeve për nxënësit e diasporës, dhe të tjera.

Në anën tjetër, KALLXO.com më 05.06.2025 raportoi se Bora Shpuza, shefja e kabinetit të ministres Nagavci ka aplikuar për pozitën e udhëheqësit të Divizionit për Komunikim me Publik në Ministri të Arsimit, në konkursin e datës 27.03.2025. Për këtë rast, Ministria e Arsimit ende nuk i është përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com nga data 04.06.2025.