Ben Gavazaj, është nxënës i klasës së katërt në shkollën “min Duraku në Prizren. Ai u lind në Amerikë, por kur erdhi koha të fillojë shkollën dhe të regjistrohet në klasë të parë u kthye në Kosovë, shkruan AlbanianEducation.net.
“Ishte gjuha mëmë dhe malli që ‘mirëmengjes’, e ‘tungjatjeta’ të kumbojnë kur flet me gjyshërit dhe të tjerët arsyeja që Beni kishte kaluar dete e oqeane për të jetuar në Kosovë.
Shkrimi i plotë:
IDE TË MËDHA, NGA NJË ZEMËR E MADHE BRENDA NJË VOGËLUSHI
Protagonistin tonë e quajnë Ben Gavazaj. Është nxënës i klasës së katërt në shkollën tonë…një nga shumë të tjerë të cilët mësuesja Merita Ukimeri i përkëdhelë me dashuri.
Beni është lindur dhe rritur deri në njëfarë moshe në SHBA. Në klasën e parë, ai ishte kthyer në atdhe.
‘Pse’-së sonë ai i qe përgjigjur me një fjalë që të ngjallë krenari: ishte gjuha mëmë dhe malli që ‘mirëmengjes’, e ‘tungjatjeta’ të kumbojnë kur ai flet me gjyshërit dhe të tjerët arsyeja që Beni kishte kaluar dete e oqeane për të qenë këtu.
Por, historia e sotme nisi nga një vështrim i thellë i Benit teksa po ngjiste shkallët për në klasën e tij. Ai kishte parë në horizontin e shkollës një nxënës i cili ishte sfiduar me pamundësinë për të ecur. I prekur thellë nga ajo që po shihte, Beni me vendosmëri fisnike troket në zyrën e drejtorit dhe kërkon një konsultim me të.
Drejtori, M. Sc. Rrahim Bekteshi, e mirëpriti ashtu siç mirëpret rëndom çdo fatos me ide të veçanta.
Nga biseda e përbashkët, Drejtori pa tek ai diçka që nuk e shohim çdo ditë: dëshira për të bërë mirë, bashkëndjesia për të tjerët përreth tek Beni ishte shumë e madhe, madje më e madhe sesa që ishte vetë ai. “Një trup vogëlushi me një zemër kolose ishte gjëja më e vlefshme që pashë sot”- na tha Drejtori.
Ai e dëgjoi me ëndje teksa Beni po arsyetonte sesi vendosja e një ashensori apo shiriti lëvizës në shkollën tonë do të thoshte shumë për këta fëmijë. Pas një bisede të përzemërt, u shkrep edhe një fotografi në të cilën buzëqeshja fëmijërore e Benit të kujton përrallat tek të cilat mirësia triumfon mbi ligësinë dhe sundon përjetësisht njerëzimin.
“Nëse, nga njëmijë e sa nxënës të shkollës sonë, secili nga ne japim diçka, ajo që duket pak bëhet shumë”- tha Beni kur po e përmbyllnim bashkëbisedimin.
-Ke ndonjë mesazh për shokët dhe shoqet?- e pyetëm në fund.
-Po. Që gjithmonë të sillemi me të tjerët ashtu siç do të donim të tjerët të silleshin me ne…dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin pa çmim- tha ai.
Si një inxhinier i së ardhmes, profesion të cilin e pëlqen, Beni me siguri do të ndërtojë shumë godina me ashensorë, por themelin e gjësë më madhështore ai e ka vënë sot: mirësinë në zemër e cila është urë që lidh njerëz nga kombe, kultura, ngjyra apo aftësi të ndryshme.
Përgatiti :
M.sc.Erleta Limani