Grigor dhe Aca Banushi treguan historinë e tyre të dashurisë gjatë një interviste që dhanë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”. Çifti i mësuesve treguan për moderatorin Alban Musa se janë bashkë me 45 vitesh, janë njohur në Pukë ku jepnin mësim në të njëjtin fshat.
Aca tregoi dhe momentin kur janë njohur për herë të parë. “Më dërguan mësuese në një fshat të Pukës në vitin 1975. Aty gjeta një kolektiv shumë të mirë, ishte dhe Gregori. Më pas ishte fat që na caktuan në një fshat për të bërë disa punë dhe aty u njohëm më shumë.”, tregoi ajo.
Gjatë kohës që qëndruan në Pukë, nisën dhe bashkëjetesën. Tani ata kanë dy fëmijë dhe janë bërë gjyshër. Shkrimtari tregoi se dashurinë që ka për bashkëshorten e ka përjetësuar dhe në librat që ka shkruar.
“Dashuria është e njëjtë, ndryshon formën dhe herë pas herë dhe intensitetin. Unë ka, botuar 8 libra dhe në të gjitha Aca është e pranishme, është e shkrirë në personazhet femra, qoftë me një gjest apo një paraqitje e jashtme. E di që është kudo nëpër libra.”, tha Gregori.
Ata treguan dhe sekretin e dashurisë së tyre. “Në këto 45 vite kemi pasur dhe vështirësitë tona të jetës. Gjithmonë është kujdesi, falja, edukata, shpirti i mirë, mirëkuptimi që është kryesorja.”, tha Aca.