IAAP “Pjetër Bogdani” në Ferizaj ka përfituar një donacion të rëndësishëm nga bashkatdhetari Bashkim Jahiu, i cili jeton dhe vepron prej vitesh në Zvicër, shkruan AlbanianEducation.net.
Me këtë kontribut, ai ka ndihmuar drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të punës dhe mësimit në këtë institucion arsimor.
Donacioni përfshin 24 karrige cilësore, tavolina, komodina si dhe pajisje të tjera për zyre. Falë këtij kontributi janë kompletuar Kabineti i Arkitekturës, salla e arsimtarëve, zyra e drejtorit dhe e zëvendësdrejtorit, si dhe disa kabinete të tjera mësimore.
Nga drejtoria e shkollës bëhet e ditur se kjo është hera e tretë që Bashkim Jahiu mbështet IAAP “Pjetër Bogdani” me donacione, duke dëshmuar vazhdimisht përkushtimin e tij ndaj arsimit dhe vendlindjes.
Njoftimi i plotë:
MIRËNJOHJE PËR BASHKATDHETARIN TONË, Z. BASHKIM JAHIU!
Bashkatdhetarët tanë kanë dëshmuar vazhdimisht se zemra e tyre rreh për vendlindjen, e këtë e vërtetoi sërish z. Bashkim Jahiu, i cili jeton dhe vepron prej vitesh në Zvicër.
Ai këto ditë i dhuroi shkollës sonë 24 karrige shumë cilësore, një numër të konsiderueshëm tavolinash, komodina dhe pajisje të tjera për zyre, duke ndihmuar kështu në pasurimin e inventarit të shkollës sonë.
Si rezultat i këtij donacioni, janë kompletuar me tavolina dhe karrige, si dhe komodina:
• Kabineti i Arkitekturës;
• Salla e arsimtarëve;
• Zyra e drejtorit dhe zv.drejtorit;
• Kabinete të tjera mësimore.
Duhet theksuar se kjo është hera e tretë që z. Jahiu mbështet shkollën tonë me donacione të tilla.
Drejtoria e IAAP “Pjetër Bogdani”, në emër të stafit dhe nxënësve, falënderon përzemërsisht z. Bashkim Jahiu për humanizmin dhe ndihmën e tij të vazhdueshme për shkollën tonë.