Poezia e mëposhtme është ndër më të bukurat e autorit të njohur shqiptar Ismail Kadare. Bëhet fjalë për një baba, i cili kthehet i dehur natën vonë në shtëpi.
Askush nuk e kupton arsyen, por i gjejnë një gazetë ku ai kishte nënvijëzuar poezinë e djalit të tij të madh. Trajtohet kështu periudha diktatoriale, kur ishte e kufizuar fjala e lirë dhe një poezi ku shpreheshe lirshëm, ishte e barabartë me internimin. Nga dhimbja e një fati të tillë për të birin, i ati ishte dehur përgjatë gjithë ditës. Kjo poezi na sjell edhe një herë para syve vuajtjet e periudhës diktatoriale dhe trishtimin me të cilin autori i ka shkruar këto vargje. Vetëm kush e ka përjetuar atë periudhë, e për më tepër internimin e familjarëve, mund ta kuptojë se sa dhimbje mban kjo poezi.
“Babai”
Ai erdhi në mbrëmje i pirë
afër vatrës u ul, u step.
Kasketa e vjetër, e nxirë,
gazeta e ditës në xhep.
Pse kish pirë nuk e tregoi
nëna tha: “Ku ta dish!”
dikush vjershat e djalit të madh
në gazetë kritikuar kish.
Në klub plot potere të tymtë,
në gazetë i treguan një vend
dikush i kish thënë: “vate
dhe puna e djalit tënd!”
Për vjershat e djalit s’kish pasur
të veçantë interesim…
sonte ish herë e parë
në klubin e vogël plot tym.