Fisnik Shaqiri në qershor të vitit 2021 kishte aplikuar në pozitën e bashkëpunëtorit të jashtëm në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, por nuk kishte arritur të përzgjidhej në pozitën numër 29 për lëndët “Menaxhimi i riskut në Bujqësia si degë e ekonomisë, Hyrje në ekonominë e resurseve dhe mjedisit, Hyrje në ekonominë e ambientit, Marketingu bujqësorë II, Marketingu bujqësorë”.
Arsyeja që Shaqiri nuk kishte arritur të fitonte këtë pozitë është mungesa e dokumentacionit gjatë aplikimit të cilin e kishte bërë fizikisht në administratën e Fakultetit të Bujqësisë.Në njëjtat dokumente kandidati për bashkëpunëtor të jashtëm thotë se i ka dërguar edhe në emailin zyrtarë të UP-së.
Përmes vendimit të lëshuar nga Fakultetit i Bujqësisë Shaqiri kishte kuptuar se ishte refuzuar për pozitën që kishte aplikuar.
“Pas shpalljes sё vendimit nga Këshilli i FBV-së tё konkursit tё shpallura me 21 Korrik 2021 nё uebfaqen e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, propozuar nga Komisioni Vlersues dhe me vendim te Këshillit të FBV-së, unё jam refuzuar pёr pozitën 29. Me arsyen se nuk kam dorëzuar dokumentet e kompletuara”, ka thënë Fisnik Shaqiri.
Për arsyen e mos pranimit të Shaqirit, Fakulteti i Bujqësisë ka dhënë të njëjtën përgjigje.
“Komisioni vlerësues duke u bazuar në dokumentacionin e kandidatit Fisnik Shaqiri ka vërejtur se dokumentacioni i kandidatit nuk është i kompletuar sipas konkursit të shpallur për angazhimin e një bashkëpunëtori të jashtëm me numër protokoli 1 / 101, i datës 25.06.2021”, ka thënë Arben Musliu, kryetar i komisionit vlerësues në FBV.
Pasi dosja ishte pranuar nga administrata e fakultetit, komisioni i ankesave kishte nënkuptuar se dosja ishte e kompletuar, ndërsa për të vërtetuar ishte kërkuar nga administrata e UP-së dëshmia e dosjes në formë elektronik(dëshmia e emalit të dërguar në emailin [email protected]).Komisioni për ankesa dhe parashtresa më 25 gusht të vitit 2021kishte konstatuar se komisioni vlerësues nuk kishte respektuar rregulloren 1/95 24.06.2021(Neni 7, pika 3.3: Përparësi në angazhim kanë kandidatët me gradën doktor i shkencave).
Fisnik Shaqiri ka përfunduar doktoratën në “Hungarian University of Agriculture and Life Sciences” në mars të vitit 2021, gradë e cila e vendoste një hapë para kundër kandidatëve të tij.Një muaj më vonë mbledhjen e Këshillit të FBV-së ishte kumtuar se dosja e Shaqirit nuk ishte shqyrtuar për shkak të mungesës së certifikatës së notave nga studimet Bachelor.
Dilema për dëshminë elektronike
Një ditë para se të fillonte vitit akademik 2021/2022 Këshilli i FBV-së kishte vendosur që ankesa e Fisnik Shaqirit të refuzohet si e pabazuar.
Sipas procesverbalit të mbledhjes së 14-të të Këshillit të FBV-së, Fakulteti nuk kishte arritur të siguronte dëshmi të formës elektronike.Fisnik Shaqiri kishte dërguar ankesën në Rektoratin e UP-së dhe kishe kërkuar që emaili i tij me dokumentet e aplikimet të kontrollohej në adresën elektronike.
“Sipas kësaj kërkese, unë e kam bërë forward këtë email duke e mbajtur në cc Sekretarin z.Kelmendi dhe Prorektorin, z. Kurtesh Sherifi. Meqenëse nuk kam pranuar asnjë përgjigje, pas një javë i jam drejtuar me email sërish, Sekretarit z.Kelmendi, në cc Prorektorin z.Kurtesh Sherifi dhe përgjigjeja e të cilit përsëri ka qenë negative”, ka thënë Shaqiri.
Por Rektorati i UP-së ka thënë për KALLXO.com se një email e tillë nuk është dërguar në adresën [email protected], e cila është përdorur për aplikimet online.
“Pas verifikimit me stafin administrativ, ju konfirmojmë se më datën 09/07/2021, në e-mail adresën: [email protected], nuk është pranuar e-mail nga z. Fisnik Shaqiri. Lidhur me këtë janë njoftuar kandidati dhe fakulteti” thuhet në përgjigjen e rektoratit.
Shaqiri pretendon se dokumentet e tij janë fshehur dhe për këtë ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj ish-sekretarit të UP-së Esat Kelmendi, Arben Musliu, kryetar i komisionit, Jehona Shkodra, anëtare e komisionit dhe Nijazi Bytyqit, anëtarë i komisionit.
Ndërsa ish sekretari i UP-së, Esat Kelmendi ka thënë se nuk është në dijeni për ngritjen e kallëzimit penal, por që ka dyshime se emaili është manipuluar “Vetë fakti se nga data kur i kërkova dëshmi 27.9.2021 e deri në datën e kthimit të emailit kaluan një javë 4.10.2021”.
“Të them të drejtën meqë nuk e gjeja asnjë gjurmë nga aplikimi i tij, me rastin e dërgimit të emailit (të forwarduar) nga ana e tij kinse ka aplikuar, kam dyshuar që ai ka mundur të manipuloj me këtë email duke pasur parasysh se të njëjtin ka mundur ta harroj në Draft dhe të mos e ketë dërguar fare”, ka thënë Kelmendi.
KALLXO.com ka kontaktuar me anëtarët e komisionit vlerësues dhe të tre kanë bërë të ditur se nuk janë në dijeni se është bërë kallëzim penal ndaj tyre.
“Nuk jam në dijeni, kur të më thërret gjykata unë shkojë e dëshmojë atë që e kam bë”, ka thënë Jehona Shkodra.
Përgjigje të ngjashme ka dhënë edhe profesori Arben Musliu.
“Si ju kam tregu juve, juve tregoj edhe prokurorisë. Unë e di që jam i pastër i kam kry sipas rregullores të gjitha mundësitë e mia” dhe profesori Nijazi Bytyqi “Jo nuk jam i informuar, do ti përgjigjem prokurorisë. Çka do që ka unë jam në fakultet çdo ditë”.
Prokuroria ka bërë të ditur për KALLXO.com se rasti ndodhet në procedurë hetimore.
“Rastit të cilit i referoheni mund t’ju njoftojmë se ndodhet në procedurë hetimore, andaj në këtë fazë nuk mund të japim informata të tjera lidhur me këtë çështje penale”, ka thënë Laureta Ulaj, zyrtare për informim.