Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka deponuar sot tek Avokati i Popullit kërkesë për inicimin në Gjykatën Kushtetuese për Ligjin për Paga.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga IKD-ja me anë të një komunikate për media, duke thënë se kanë vërejtur shkelje të të drejtave të njeriut.
Nga Institucioni i Avokatit të Popullit kanë konfirmuar për Front Online se kanë pranuar një kërkesë të tillë.
Por, për pezullimin ose jo të këtij ligji vendos vetëm Gjykata Kushtetuese.
Qelaj: Po presim edhe ankesa të tjera për Ligjin e Pagave, do japim shpejtë përgjigje
Avokati i Popullit, Naim Qelaj në një përgjigje për Front Online ka thënë se janë në pritje edhe të ankesave të tjera, duke shtuar se nuk kanë afat të caktuar se për sa kohë mund t’i analizojnë.
Thotë se do të mundohen t’i shqyrtojnë dhe analizojnë ankesat sa më shpejtë që është e mundur në mënyrë që të japin edhe përgjigje të shpejtë.
“Nuk e di sa më merr kohë sepse jemi duke prit edhe ankesa të tjera, kemi pas paralajmërime që kanë me sjellë edhe zyrtarët tjerë ankesa, ne do të presim disa ditë me i mbledhë të gjitha ankesat dhe pastaj duhet me hy me i analizua, dhe me i shqyrtua. Nuk e kemi një afat të caktuar, nuk mundem sot me ju dhënë një kohë të caktuar, por po besoj sa më shpejtë që është e mundur pasi që është në interes të të gjitha palëve, ne do të mundohemi që shpejtë me dhënë përgjigje”, ka thënë ai për Front Online.
I, pyetur se a mund të pezullohet ligji në momentin që dërgohet në Kushtetuese, Qelaj ka dhënë këtë përgjigje.
“Varet prej rrethanave, nuk është e domosdoshme sepse ligji nuk shkakton pasoja për një vit, brenda një viti edhe atyre që i prek në paga kanë me vazhdu me i marr me ligjin e vjetër kështu që varet prej rrethanave, varet se si janë bërë ankesat dhe se sa ka bazë”, ka shtuar ai.
Ish-gjyqtari i Kushtetueses: Ligji nuk pezullohet pa iu nënshtruar procedurave
Nëse Ligji i Pagave dërgohet në Kushtetuese, lënda do të kryhet me prioritet.
Kështu thotë për Front Online, ish gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu.
Sipas tij, nëse në këtë ligj konsiderohet se ka shkelje të të drejtave të njeriut, atëherë për këtë vendos Gjykata.
Ndërsa, kur është pyetur se a mund të pezullohet ky ligj në momentin që ka ankesë dhe dërgohet në Kushtetuese, Kryeziu ka thënë që patjetër ligji duhet t’i nënshtrohet procedurave.
“Jo. Ajo shkon, hyn në procedurë, kur të hyn në procedurë lëndën e merr Kolegji i ngushtë, e pastaj në Kolegjin e gjerë ku janë 9 gjyqtarë dhe pastaj ata vendosin, nuk e nënkupton që e fiton rastin kushdo që e qon në Kushtetuese”, është shprehur ai.
Baraliu: Kushtetuesja vlerëson për pezullim ose jo të Ligjit të Pagave
Kurse, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu deklaron për Front Online se nëse Ligji i Pagave dërgohet në Kushtetuese kjo e fundit e vlerëson arsyeshmërinë e kërkesës e tak pas kësaj vendos.
“Në këtë rast nëse Avokati e dërgon Gjykata Kushtetuese është ajo që e vlerëson arsyeshmërinë e kërkesës dhe deklaron pas një afati të caktuar që ajo ia jep vetes deklaron a është kërkesa e pranueshme apo jo dhe e njofton palën parashtruese, në këtë rast Avokatin e Popullit që kërkesa është e pranueshme dhe mandej e cakton një masë të përkohshme eventualisht e cila mund të jetë që të pezullohet, pezullohet zbatimi i atij ligji për një kohë të caktuar meqë është dekretuar dhe në ndërkohë vendos lidhur me të”, ka thënë Baraliu, për Front Online.
Ligji i Pagave në sektorin publik u miratua në Kuvend më 22 dhjetor të vitit 2022.
I njëjti të mërkurën e 4 janarit të 2023-ës mori dekretimin edhe nga anë e Presidentes, Vjosa Osmani.
Ndërsa, më 5 janar është publikuar edhe në gazetën zyrtare.