Ka dalë nga shtypi libri më i ri i autores dhe mësueses nga Gjilani, Mirvete Haziri-Bucolli, me titull “Dritaret e shpirtit”. Ky botim përfaqëson një rrëfim të ndjeshëm, të qetë dhe njëkohësisht të fuqishëm të ndjenjave, përjetimeve dhe mendimeve të saj më të thella, shkruan AlbanianEducation.net.
Me një stil të thjeshtë por të ngrohtë, autorja ndan me lexuesin tingujt e shpirtit të saj, duke hapur dritaret që lidhen me ëndrrat, kujtimet dhe reflektimet jetësore. “Kur ëndrrat bëhen realitet, dritaret nuk mbyllen kurrë”, thotë ajo, duke e konsideruar këtë libër si një hap të rëndësishëm në udhëtimin e saj krijues.
Mirvete Haziri-Bucolli ka filluar tashmë rrugëtimin e saj në fushën e letërsisë, me synimin që së shpejti të bëhet pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK).
“Të shkruash do të thotë ta kuptosh tjetrin dhe ta ndihmosh në hapat e tij,” – thekson autorja, e cila përmes këtij libri i fton lexuesit të ndajnë së bashku dritën që ofrojnë “dritaret e shpirtit”, me shpresën që ato të mos i prekë kurrë errësira.